Nga Ylli Pata

Mbështetës të Sali Berishës i janë ngjitur një pyetësori që një kongresmen në SHBA, Lee Zeldin, i ka dërguar Sekretarit të Shtetit për Sali Berishën që e kanë vendosur në një nga hapësirat e sanksioneve më të rënda që ky institucion ka.

Dhe e marrin si një fitore, si një zhvillim i rëndësishëm, kur në fakt kemi të bëjë jo me një akt, por me një kërkesë, me një shqetësim, me një pakënaqësi që vjen nga poshtë.

E për këtë kërkesën që i është parashtruar kongresmenit Zeldin kanë luajtur shumë e shumë “shina” për ta vënë në lëvizje mekanizmin. Që nuk do të sjellë asgjë, e nuk ka sesi të sjellë asgjë beteja që po bëhet për Sali Berishën, që i është bashkëngjitur edhe Ilir Meta.

Ata të dy, si politikanë, individë, familjarë, njerëz në fund të fundit, mund të bëjnë jo një, por njëmijë beteja për emrin e tyre që u është prekur, por realisht beteja e tyre, nuk se ka lidhje me vendin apo edhe me PD-në  apo opozitën.

Pasi në të gjithë këtë zallamahinë e përplasjes në PD, vjen spotane pyetja: ja sikur, po sikur Sali Berisha do të rivijë në krye të PD-së, çfarë do të ofrojë ai dhe Ilir Meta, që gjithashtu e shpalli dëshirën për t’ju bashkëngjitur nismës?

Kanë drejtuar shtetin, qeverinë, partitë, e kanë kryer atë që quhet “cikli politik i jetës” e dimë çfarë kanë dhënë e si rrjedhim çfarë mund të japin.

Njerëzit që mbështesin Berishën në një pjesë dërmuese në këtë betejë, e kanë kontraversale, pasi e shikojnë si një derë për të hequr Lulzim Bashën, si pasojë e pakënaqësive që ata kanë ndaj tij që nuk i ka sjellë në pushtet.

E si model paraqiten Sali Berisha dhe Ilir Meta, si “mostra” që mund t’i sjellin në pushtet, pasi vetë si Berisha e Meta kanë provuar të gjitha postet e larta që ka në hierarki shteti shqiptar.

Në fakt, Berisha e Meta, nuk janë “mostra” laboratorike, por dëshmi e një epoke apo zhvillimi politik të vendit që nga shumica shikohet si periudhë apo model që duhet ta lëmë pas.

Sepse në fund të fundit, nëse Berisha e Meta, do të vijnë në krye të opozitës shqiptare, çfarë alternative, apo modeli do të sjellin, a propozojnë? Atë që ata përfaqësojnë natyrisht. Një model që të vetmen rezultante me përkrahësit e tyre të thjeshtë në “popullin e opozitës” kanë thjesht aspektin anti-Rama. Nga ana tjetër ata janë më keq se ky model. Madje politikisht dhe elektoralisht Edi Rama i ka mundur si veç e veç e sis ë bashku.

Atëherë përse duhet të zgjidhen sërish e sërish?

Pasi tek arsyeja nis edhe fillimi i diskutimit, e më pas se ç’po ndodh realisht, ngaqë kemi një konfuzion. Deri tani ka shumë paqartësi në të gjithë këtë aksion që duan të heqin Lulzim Bashën për ta zëvendësuar: 1. Me Berishën kryetar e Kryeministër, 2. Me një tjetër por që do ta vendosë Berisha e 2. Me Ilir Metën që u vetëofrua si lider i demokratëve. E ç’të re sjell një nga këto alternative?

Asnjë, askush nga mbështetësit e tyre nuk sjellin argument që ta përkrahin këtë duet aq të qarkulluar në politikë e në shtet, por vetëm bëhet argument statuti dhe “mbështetja tek demokratët”.

Por prej kohësh debati brenda PD-së nuk është as statuti e as e ardhmja e PD-së, por cilin zyrtar të SHBA-së do të ftojë Sali Berisha po u bë kryetar i PD-së.

Po mirë, si mund ta imagjinojë një demokrat një atmosferë me Berishën kryetar e SHBA që e konteston? Se ky nuk se është një vizion, është realitet. Pra gjëja e parë që Berisha ofron si drejtues i opozitës shqiptare është izolimi me miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, të tjerat janë vijim! E pastaj thonë pse fiton Edi Rama…

TemA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re