Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që këtë të enjte të mblidhet me urgjencë parlamenti dhe të votojnë rritjen e pagave dhe pensioneve.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Edi Rama po mashtron qytetarët shqiptarë kur thotë se do rritë rrogat dhe pensionet.

Ai garantoi se nëse të enjten do të mblidhet parlamenti për të votuar rritjen e pagave dhe pensioneve, të gjitha votat e deputetëve të tij do të shkojnë pikërisht për  këtë ligj.

Ai tha se kjo nuk tregon një bashkëpunim me të, por ka si qëllim mbështetjen e qytetarëve shqiptarë.

“Edi Rama, për herë të parë pas 10 vitesh, pasi u bë e qartë se ngrirja e rrogave dhe rritja e tmerrshme e çmimeve i zhyti shqiptarët në një varfëri të frikshme, që i detyrona të largohen masivisht nga Shqipëria, lëshoi një seri premtimesh për rritje rrogash.

Ndër të tjera paraqiti në parlament një ligj ku parashikohej rritja e rrogës mesatare 900 euro.

E vërteta është se ligjin e bllokoi vetë në parlament me një marrëveshje të turpshme me Alibashën, mbylli parlamentin dhe këtë e bëri vetëm e vetëm pse ai premtim ishte një mashtrim.

Unë jam këtu sot në emër të qytetarëve shqiptarë, të ftoj të mbledhim me urgjencë ditën e enjte parlamentin dhe të votojmë ligjin për rritjen e rrogave dhe pensioneve.

Të tallesh me njerëzit që numërojnë edhe qindarkat për të mbyllur 15-ditëshin apo muajin, duke i joshur ata me premtime boshe, është një akt cinik, dhe kur e bën në fushatë elektorale është një krim elektoral.

Ndaj i them Edi Ramës, bëhu njëherë njeri me ndjenja për qytetarët dhe hajde të votojmë ligjin për rritjen e rrogave, përgjigju ofertës sonë që nuk ka për synim bashkëpunimin me ty, se ti e ke faktuar veten një armik të interesave të shqiptarëve, por ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve shqiptarë.

Pra, e enjtja është një ditë prove për të vërtetën e këtij premtimi dhe unë i garantoj shqiptarët se të gjithë votat tona do shkojnë për ligjin e rritjes së rrogave dhe pensioneve”, tha Sali Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re