Fillimisht në konferencën për shtyp e më pas në emisionin “Opinion”, Sali Berisha nuk tha asgjë të re nga ato që ka thënë në 3 dekada, ku me hir a me pahir i ka dhënë tonin politikës shqiptare.

Berisha na tregoi, gati-gati i përlotur si pas humbjes së zgjedhjeve në 2013-ën, se si shkonte i detyruar me teserën e partisë që të votonte për Partinë e Punës gjatë komunizmit, edhe pse të tjera gjëra mendonte vetë. Na tha se si kishte kundërshtuar Bill Clinton e Bob Dole për “hir të interesave të kombit shqiptar” në vitet ’90.

Na tha plot bëma të tjera me George Soros dhe se si e kishte mbrojtur demokracinë në Shqipëri prej këtij “minuesi” demokracish në vende të vogla. Na tha se si kishte mbrojtur sovranitetin e vendit përballë “imperializmit amerikano-sorosian”, kur u ishte kundërvënë duke thënë se nuk do të pranonte që Shqipëria të qeverisej nga një guvernator amerikan, duke nënkuptuar këtu ambasadorët e SHBA. Na tha se si luftoi korrupsionin, si anëtarësoi Shqipërinë në NATO, e si liberalizoi vizat.

Këto ishin kryesoret, por tha edhe plot e plot të tjera gjëra si këta. Domethënë, për orë të mira të pasdites dhe mbrëmjes së të enjtes mediat dhe ne u morëm me “bëmat” e Sali Berishës dhe harruam atë që ai nuk na i tha.

Nëse i vendos në një peshore, ato që Berisha nuk tha peshojnë shumë më shumë se ato që ai tha. Duke e lënë mënjanë se si e pse DASH e shpalli “non grata” dhe duke e prezumuar si të pafajshëm për akuzat e rënda që shqipton Uashingtoni për shpalljens si “të padëshiruar”, Berisha nuk na tha asgjë për shkeljen e të drejtave të njeriut kur ishte President.

Nuk tha asgjë për kërcënimet e rrahjet e shqiptarëve që nuk mendonin si ai kur ishte President. Nuk foli për asnjë moment për projekt-Kushtetutën përmes të cilës synonte të shpallte veten quasi-mbret të Shqipërisë e shqiptarëve! Nuk foli për shkeljen e embargos ndërkombëtare që synonte mos furnizimin e tankeve të Millosheviçit, kur ky i fundit masakronte civilët në Bosnje e Kosovë! Nuk foli për zgjedhjet e 1996-ës, skemat piramidale, grushtin e shtetit në 1998.

Këto mbase janë shumë larg për t’u mbajtur mend prej tij, por nuk na foli as për Gërdecin, as akuzat për korrupsion që shoqëruan qeverisjen e tij. Nuk foli për 21 Janarin!

Nuk foli shumë për këto. Foli për dinjitetin, duke na treguar se si i ishte cenuar “personalisht” nga kryediplomati më i fuqishëm i botës. U mundua që të bëjë diversion edhe në Uashington, duke thënë se padia ndaj Antony Blinken ishte personale, si të fliste me gjuhën e Ilir Metës, që ka hedhur shpesh dyshimet se ambasadorët e SHBA në Tiranë ndjekin një agjendë të tyren personale, të pa miratuar nga Uashingtoni.

Meqenëse është shpallur “non grata” nga SHBA, tha se padinë do të ngrejë në Francë, përmes një avokati të njohur e të kushtueshëm. Pa i hyrë debatit se ku e si do t’i gjejë paratë për ta paguar këtë avokat, le të merremi pak me çështjen. Berisha pretendon se vendimi “non grata” është personal i Antony Blinken dhe jo i DASH dhe prandaj do ta padisë personalisht atë.

Duke paditur vetëm titullarin e institucionit dhe jo institucionin, Berisha e ka vendosur një precedent. Precedenti më i madh do të jetë nëse do ta fitonte këtë padi. Cilat janë shanset? Vështirë, për të mos thënë e pamundur që një Sekretar Shteti i SHBA të mbahet përgjegjës për kryerjen e detyrës së tij. Blinken s’e ka marrë vendimin si kryefamiljar në shtëpinë, kopshtin apo kuzhinën e tij, por si Sekretari i Shtetit.

Prandaj, më shumë se sa për dinjitet, beteja e Berishës ngjason si betejë me “mullinjtë e erës”, e cila ama e ka një funksion: hedhjen hi syve që shqiptarët  të mos shohin akuzat që janë ngritur kundër tij dhe fitimi i kohës.

Berisha është mjeshtër i lojës me kohën. Me kohën po luan edhe së fundmi, por duke u rikthyer pas ndër vite për të na treguar bëmat e për të na fshehur gjëmat, si aksioneri  më i madh i këtyre tre dekadave tranzicion.(Shqip)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re