Sali Berisha ka deklaruar gjatë takimit me demokratët e Beratit se shpallja “non grata” e tij është hakmarrje primitive nga George Soros. Berisha e quajti Sorosin, armikun më të egër të shqiptarëve dhe tha se asnjë forcë e majtë e botës nuk do të shkatërrojë Partinë Demokratike të Shqipërisë.
“Një koment desha të bëj në lidhje me ndërhyrjen tuaj. Dua t’ju garantoj se çështjen “non grata” vendosa që në moment, orën e parë, që ta mbaj krejtësisht private dhe private mbahej kur unë kisha bindje absolute se ajo shpallje nuk kishte asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë provë, por ishte kryekëput politike.
Vendosa të hedh në gjykatë, të nderuarin Sekretar të Shtetit, për shpifje, jo për të anuluar vendimin se kush do hyjë në vendin e tij, sa të jetë në atë pozicion e përcakton ai. Por shpifje po. Iu drejtova Gjykatës në Paris. Nuk kam kërkuar ndihmë tek njeri në botë.
Me qindra miq kam. Kam miq se kudo tjetër në SHBA, në të gjitha nivelet. Asnjë njeri, kam bërë vetëm këtë, kam shkruar të vërtetën e këtij vendimi dhe i kam informuar miqtë e mi që kam shkuar në gjykatë. Tani, çfarë është kjo, po të më pyesësh mua, është një hakmarrje primitive, dhe e sigurt kjo, e një njeriu i cili në vlerësimin tim është armik i egër i kombit dhe i demokracisë në Shqipëri. Ky është George Soros, për të cilin kam kërkuar publikisht, botërisht që të shpallet “non grata”.
Kam kërkuar që Kongresi dhe Senati amerikan të bëjnë ligje për të ndaluar veprimtarinë e tij politike jashtë SHBA. Kam kërkuar të njëjtën gjë nga PE. Pse kjo? Ky është një multimiliarder. Amerika ka disa trilionerë, trilardierë. Imagjinoni sikur t’u shkepet këtyre në mendje edhe t’u vërsulen demokracive. Këto i blejnë me rrecka demokracitë, edhe me paratë e tyre. Edhe mua më duket e papranueshme.
Ndaj i kam shkruar Sekretarit të Shtetit që ky është korruptor. Për të mos hyrë në mënyra si i bën paratë. Mënyra që ngjiten në nivelet e krimeve kundër njerëzimit. Ai është një gjeni, në financa, në spekulim dhe ata të cilët e pësojnë prej tij janë njerëzit e varfër. Këto para i merr dhe bën gjoja filantropi. Ai në fakt është një shushunjë. Nuk kam asnjë keqardhje për asgjë.
Kam kënaqësi se sot, se Amerika nuk është vetëm George Soros dhe njerëzit e lidhur me të. Për ne, Amerika është edhe Partia Republikane. Drejtues kryesorë të kësaj partie e kanë quajtur këtë vendim hakmarrje të mirëfilltë dhe përdorim të ligjit si armë kundër kundërshtarit të Ramës nën diktatin e Soros. Të garantoj ty dhe çdo njeri se jo një e majtë, por e gjithë e majta e botës nuk do mund të shkatërrojnë forcën konservatore të Shqipërisë, Partinë Demokratike”, tha Berisha.
