Kreu i opozitës Sali Berisha do të jetë sot në Bruksel ku do të marrë pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane.
Berisha do të denoncojë te partitë e djathta, manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit dhe do të kërkojë prej tyre që mos të njihen nga komuniteti ndërkombëtar. Para udhëtimit në Bruksel, mëngjesin e sotëm do të jetë në SPAK për masën “Detyrim paraqitje”, ndërkohë që Flamur Noka u ka nisur një sms anëtarëve të Këshillit Kombëtar, të cilët i lajmëron se
“Ditën e hënë, në orën 9:30, kryetari i PD-së, prof.dr Sali Berisha do të jetë në dyert e Skapi-it”.
Ndërkohë Internacionalja Demokrate e Qendrës, pjesë e së cilës janë 108 parti politike është e para organizatë ndërkombëtare që mbështet qëndrimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit duke miratuar një rezolutë ku përfshihen të gjitha shqetësimet e opozitës për këtë proces.
Kryetari i PD Sali Berisha doli para gazetarëve ditën e shtunë para të cilëve lexoi dokumentin e miratuar të premten, ku dënohet përdorimi i burimeve shtetërore në favor të PS, dënohet frikësimi i votuesve dhe kapja e shtetit. “Farsa elektorale 11 maj 2025 në Shqipëri mori një ndëshkim madhor ndërkombëtar nga organizata politike më e madhe në botë e partive të qendrës dhe qendrës së djathtë, Internacionalja Demokrate e Qendrës, e cila grupon së bashku 108 parti politike nga të gjithë kontinentet dhe që ka në sesion të saj në kontinentin evropian, Partinë Popullore Evropiane dhe partitë anëtare të saj.
IDC-CDI u bën thirrje autoriteteve shqiptare që: Të krijojnë një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja. I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike”, deklaroi lideri demokrat. Sipas tij, rezoluta u miratua gjatë takimit të forcave të djathta në Abidjan në Bregun e Fildishtë.
“Shprehin shqetësimin e thellë se këto zgjedhje ishin një farsë politike që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe shkelën kriteret e Kopenhagënit”, thuhet në rezolutë sipas asaj që lexoi Berisha.
Ndër të tjera ICD-ja i bën thirrje Bashkimit Europian që “të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike”.
“Kjo rezolutë dhe qëndrimi ynë duke evidentuar të vërtetat e hidhura janë kontribut real në udhëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”,-tha Berisha kur u pyet nga gazetarët rreth kësaj pike. Po ashtu u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të krijojnë një qeveri teknike për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur vendin për zgjedhje të re. Kreu i PD-së tha se denoncimet janë bërë mbi raportin paraprak të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Asamblesë Parlamentare të OSBE, Parlamentit Europian dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
/Gazeta Panorama