Lideri i opozitës, Sali Berisha, sulmoi kolegjin zgjedhor, i cili një ditë më parë vendosi të përsërisë zgjedhjet për bashkinë e Rrogozhinës.

 

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha deklaroi se në Rrogozhinë duhej shpallur e pavlefshme kutia e votimit që i përkiste burgut dhe nuk kishte pse hidhej poshtë i gjithë procesi zgjedhor.

 

SALI BERISHA

 

“A ka logjik njerëzore të dënosh 10 mijë, 15 mijë, sa mund të jenë zgjedhësit e Rrogozhinës, për manipulimin? Në vend që gjykata të kërkonte dënimin si kriminel elektoral të Ulsi Manjës, Erion Veliajt dhe drejtorit të burgut të Rrogozhinës, që stisën qendrën e votimit në burg për të ndryshuar rezultatin.”

 

Berisha para gazetarëve deklaroi se edhe për bashkinë e Kuçovës janë grumbulluar prova për manipulim të vullnetit të zgjedhësve.

 

“Kështu janë pjesa dërrmuese e të gjitha bashkive për të cilat janë paraqitur ankesat. me 14 maj nuk kishte zgjedhje, por farsë zgjedhore.”

 

Në raport me grupimin tjetër të demokratëve, Berisha përsëriti akuzën se ish-kryetari Lulzim Basha po përdoret nga kryeministri Edi Rama. Edhe pse logoja e flamuri i PD i përkasin atij grupimi, Berisha theksoi se nuk ka në plan të krijojë një parti të re.

 

“Ne e kemi partinë tonë. Ne do të qëndrojmë kundër çdo plani të Edi Ramës”

 

Lideri i opozitës, Berisha, njoftoi se është drejt përfundimit procesi i hartimit të raportit që përmban parregullsitë e procesit zgjedhor të 14 majit, i cili do t’i dorëzohet faktorit ndërkombëtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re