Skip to content

Salianji nga Elbasani: Më 22 dhjetor, energjia e çdo salle të përplaset në muret e kryeministrisë

Mbledhja e fundit e Kryesisë së Partisë Demokratike ishte 4 orë gjyq për mua dhe për ju, dhe 15 minuta gjyq për Ramën e Ballukun”.

Kështu u shpreh Ervin Salianji në takimin e tretë të “Foltores”, pasditen e sotme të zhvilluar në Elbasan.

Ish-deputeti demokrat tha se mbledhjet e organeve të larta të selisë blu janë kthyer në seanca gjyqësore për demokratët që mendojnë ndryshe nga kupola e partisë, dhe jo në arenë propozimesh e idesh për organizimin e aksioneve opozitare me qëllim largimin nga pushtetit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Por, krahas ‘denoncimit’ që Salianji i bëri Kryesisë para anëtarësisë së PD-së, ai u bëri thirrje për pjesëmarrje masive dhe të furishme në protestën që Sali Berisha ka organizuar më 22 dhjetor para kryeministrisë.

Në datën 22 dhjetor, e gjithë energjia e kësaj salle dhe e sallave në çdo cep të Shqipërisë duhet të përplaset para mureve të Kryeministrisë“, tha Salianji.

Salianji zhvilloi sot në Elbasan takimin e tretë të Foltores, të nisur fillimisht në Durrës e më pas në Gjirokastër.