Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së kësaj partie – ku u mor vendimi për përjashtimin dhe pezullimin e disa anëtarëve të PD-së – mësohet se ka thënë që çdolloj dhune është e papranueshme.
Sipas tij, bëjnë me dije burime pranë selisë blu, “çdo përfaqësues i Partisë Demokratike duhet të distancohet”.
Salianji ka thënë se “kriteri për përjashtim duhet të jetë ky kufi, ndarja me dhunën dhe mjete parapolitike! Duhet të japim mundësinë e reflektimit dhe distancimit nga dhuna pjesëmarrësve që mund të jenë aty dhe jam i bindur që janë aty, për shkak të zhgënjimit dhe dëshpërimit të mos fitores në 25 prill!”.
Deputeti ka theksuar se nxitja për dhunë dhe përkrahja e dhunës duhet të jetë kriteri ndarës për përjashtimin ose bashkëjetesën.
“Nëse ka kolegë që pranojnë rriskimin e jetës dhe eliminimin fizik të drejtuesve të degëve, të Këshillit Kombëtar, deputetëve, kjo është vijë ndarëse dhe këtu nuk i kemi përjashtuar ne, por ata!”
Ndër të tjera, ai ka ravijëzuar se “gabimet e së shkuarës nuk duhet të përsëriten dhe PDSH duhet të jetë forcë që udhëheq dhe tërheq pjesën e shoqërisë që përditë e më shumë po zhgënjehet nga politika”.
Në përmbyllje, Salianji ka theksuar se dalja në terren dhe kontakti me demokratët duhet të ishte i shpeshtë në këto muaj.
“Merita duhet të kthehet në themel të kësaj force”.