Skip to content

Salvini sulmon Tunizinë: eksporton përbindsha, reagon ashpër vendi afrikan

Qeveria tuniziane ka reaguar ashpër pas deklaratës së ministrit të ri të Brendshëm italian, Matteo Salvini, ndaj qeverisë së vendit afrikan.

Tunizi zyrtar ka thirrur urgjent ambasadorin e tij nga Roma, pasi Salvini në një takim publik akuzoi Tunizinë se “ka dërguar në Itali përbindsha”.

“Shprehim shqetësimin e madh ndaj frazave të tmerrshme të dala nga goja e ministrit të një vendi mik”, bëhet e ditur në deklaratën e qeverisë tuniziane.

Ministria e Jashtme e Tunizit zyrtar thekson se “Këto deklarata nuk shprehin në asnjë rresht, përpjekjen e gjatë dhe të fortë të dy vendeve tona për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe për të luftuar organizatat e krimit të organizuar që ushqejnë trafiqet”.

Salvini ka qenë sot në mëngjes në Siçili ku ka lëshuar një deklaratë të fortë për emigracionin.

Ministri i Brendshëm italian tha se nëse Bashkimi Europian nuk do të mbështesë vendin e tij në luftën ndaj krimit të organizuar, atëherë Roma do të ecë sipas mënyrës së saj.

Deklarata u bë dy ditë pas mbytjes në det të një anijeje me 85 tunizianë. E pikërisht këtu ka ardhur dhe “kumbulla” e liderit të Lega-s, sot numri dy i qeverisë italiane.

“Tunizia eksporton shpesh përbindsha”, tha Salvini në mëngjes, ndërkohë tani pasdite pas notës së qeverisë së vendit afrikan deklaroi se është i gatshëm të takojë menjëherë homologun tunizian.

Salvini ndërkaq ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në samitin e ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksemburg, me sebepin se është i impenjuar në senat me seancën e votëbesimit të qeverisë.