Do të mbahet sot në Slloveni Samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku do të marrin pjesë liderët e vendeve të unionit dhe të Ballkanit Perëndimor.

Kjo ngjarje në Brdo pri Kranju do të mbledhë udhëheqës nga vendet anëtare të BE -së dhe gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Mali i Zi, Republikë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë.

Charles Michel, President i Këshillit Evropian, do të kryesojë samitin. Së bashku me Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, ata do të përfaqësojnë BE -në në Samit.

Samiti është pjesë e angazhimit strategjik të BE-së me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me Axhendën Strategjike 2019-2024. Ai pason Samitin BE-Ballkan Perëndimor 2018 në Sofje dhe samitin 2020 BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb, i cili u mbajt përmes video-konferencës.

Një ditë para samitit të shumëpritur midis udhëheqësve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, mediat raportuan se nuk ka një datë për fillimin e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e nga ana tjetër nuk do të mbështetet rruga e sigurt e anëtarësimit e vendeve kandidate.

Në draft deklaratën e samitit, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk referohen më si vende kandidate, por thjeshtë si partnere të Bashkimit Europian. Deklarata thekson gjithashtu se perspektiva evropiane e rajonit është ende pjesë e axhendës por nuk përmendet ndonjë datë.

“BE-ja konfirmon zotimin e saj për procesin e zgjerimit, të bazuara mbi reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritës”, thuhej në deklaratë.

Takimi midis udhëheqësve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor duket se do të jetë vetëm një formalitet, pasi çështjen e zgjerimit, kreu i Këshillit të BE-së Charles Michel as e përmendi fare në deklaratën e tij para datës jo formale.

Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe kryenegociatori Zef Mazi.

Divergjencat kryesore në prag të samitit lidhen me propozimin konkret të Sllovenisë për përcaktimin e vitit 2030 si afat fundor të anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok.

Është e paqartë se si do të reagojnë udhëheqësit evropianë ndaj një propozimi të tillë, pasi shtete si Franca, Holanda apo Danimarka kanë rezerva për anëtarësimin e parakohshëm të Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 dhe i ngadalësuan reformat pas anëtarësimit.

Një çështje delikate gjatë samitit do të jetë puna për të bindur Bullgarinë që të heqë veton ndaj Shkupit, veto që tani po mban peng edhe Tiranën për hapjen e negociatave. Presidenti amerikan Joe Biden dhe administrata amerikane i kanë bërë presion së fundi presidentit bullgar Rumen Radev, presion të cilit iu bashkua edhe presidenti gjerman Statmajer.

Diskutimet në Samitin e sotëm do të përqëndrohen në:

Riafirmimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, i cili është me interes strategjik reciprok dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike

Zhvillimin e bashkëpunimit tonë dhe rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit, në kontekstin e pandemisë në vazhdim Covid-19

Zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve (EIP), i cili përcakton një paketë të konsiderueshme investimesh dhe do të gjenerojë rritje më të qëndrueshme, të gjelbër, dixhitale dhe të fokusuar tek njerëzit, duke përfituar rajonin dhe Evropën në tërësi

Intensifikimin e bashkëpunimit rajonal

Eksplorimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në çështjet politike dhe të sigurisë me interes reciprok

Për sesionin plenar, drejtuesve do t’u bashkohen përfaqësues të Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Në fund të takimit, udhëheqësit e BE pritet të miratojnë një deklaratë, me të cilën liderët e Ballkanit Perëndimor janë të ftuar të përafrohen.

Samiti në Slloveni do të diskutojë gjithashtu përmirësimin e bashkëpunimit dhe rimëkëmbjen sociol-ekonomike të rajonit nga pandemia e Covid-19, si dhe zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve me vlerë 30 miliardë Euro, si ndihmë financiare për rajonin.

BE gjithashtu do të sigurojë grante prej nëntë miliardë Eurosh përmes 10 projekteve kryesore të investimeve.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re