Në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, ka filluar Samiti i Liderëve të G-20, presidenca e radhës e cila kryesohet nga mbreti saudit Salman bin Abdulaziz.

Në fjalimin e hapjes së Samitit të Liderëve të G-20 i cili zhvillohet nëpërmjet internetit, mbreti Salman tha se 2020 është vit i jashtëzakonshëm për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) dhe se ekonomitë e vendeve ende po ballafaqohen me këtë problem.

Mbreti Salman bëri të ditur se nëpërmjet kanaleve ndërkombëtare po përpiqen të kapërcejnë këtë krizë dhe se për pandemitë që do të ndodhin në të ardhmen duhet përgatitje më e mirë dhe mbështetje ndaj ekonomisë botërore.

Ai theksoi se duhet të krijohen mundësi pune në mënyrë që të rinjtë të përfshihen më shumë në shoqëri dhe në tregun e punës.

Samiti i G-20 konsiderohet si organizimi më i rëndësishëm i ekonomisë globale.

Në samitin që do zgjasë dy ditë, krahas pandemisë së COVID-19 që përbën axhendën kryesore planifikohet që të diskutohen edhe çështjet për përmirësimin e tregjeve dhe ekonomisë globale si dhe forcimin e tregtisë ndërkombëtare.

Gjithashtu në samit synohet të zhvillohen politika efektive për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të ekuilibruar si dhe sigurimin e punësimit të vërtetë për të përmirësuar standardin e jetesës dhe për të rritur mirëqenien mes popujve të botës.

Në Samitin e G-20 që zhvillohet përmes internetit nën kryesimin e Rijadit marrin pjesë, Turqia, Gjermania, SHBA-ja, Argjentina, Australia, Brazili, Kina, Indonezia, Franca, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, India, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Kanadaja, Meksika, Rusia, Arabia Saudite dhe Bashkimi Evropian.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re