Në Samitin e Medias Turqi-Afrikë, u trajtuan rrënjët historike të imazhit negativ të kontinentit afrikan në mediat ndërkombëtare si dhe reflektimet e tij në ditën e sotme.

Samiti filloi dje në organizim të Kryesisë Komunikimeve të Presidencës së Turqisë ndërsa do të vazhdojë edhe sot.

Gazetarët nga Turqia, Kameruni dhe Nigeria, mbajtën fjalime në panelin e titulluar “Sfidimi i diskurseve konvencionale në tregimin e historive në Afrikë”.

Në aktivitetin i cili mbahet me rastin e 25 majit – Ditës së Afrikës, marrin pjesë 80 pjesëtarë të mediave nga 45 shtete afrikane si dhe diplomatë, drejtues të institucioneve publike, përfaqësues të mediave, akademikë, përfaqësues të sektorit privat dhe të organizatave joqeveritare nga Afrika.

“Afrika përmendet si një shtet i vetëm”

Editori i Lajmeve të Anadolu Agency (AA) për Afrikën, Hasan Hüseyin Köşger foli për procesin historik të imazhit të Afrikës në mediat perëndimore.

Para pavarësisë se tyre shtetet afrikane nuk janë vërejtur nga mediat, tha Köşger duke shtuar se është përmendur si “kontinenti i zi”, ndërsa që nga fillimi kontinenti është përmendur me një gjuhë negative nga Perëndimi.

Sipas tij, pas pavarësisë së shteteve afrikane pikëpamja ndaj tyre ka ndryshuar, duke theksuar se është treguar si një vend që “duhet mbështetur, zhvilluar, i varur”.

“Në vitet 1990-ta në disa rajone të Afrikës kishte luftë, krizë dhe uri. Afrika pas kësaj periudhe fillon të përmendet me fjalët kompleksitet dhe kaos. Në mendjen e një gjenerate, Afrika është vend i kompleksitetit dhe kaosit”, u shpreh ai.

Ai tha se edhe në ditët e fundit në imazhet që përdoren në lajmet lidhur me epideminë e lisë së majmunit mund të vërehet kjo.

Köşger theksoi se edhe pse në shumë vende të botës ka korrupsion dhe keqmenaxhim, duhet të kundërshtohet pasqyrimi i kësaj sikurse është diçka e veçantë për Afrikën.

“Afrika përmendet si një shtet i vetëm, ndonëse përbëhet nga 54 shtete”, tha Köşger duke shtuar se si AA po përpiqen t’ua përcjellin Afrikën lexuesve pa njollosje, pa përdorur një gjuhë që jep këshilla dhe udhërrëfyes.

“Nuk i panë bukuritë e kontinentit”

Gazetari i RFI dhe AA, Fabien Essiane, duke thënë se shtypi në fakt pasqyron shoqërinë në të cilën ndodhet tha se “Media bazohet në një realitet historik. Afrikës i thonë ‘kontinent i zi’ por unë e definoj si ‘kontinenti i njerëzimit’. Sepse ky vend është vendi ku ka lindur njerëzimi”.

“Me kolonializmin situata ndryshoi dhe kolonialistët krijuan një media dhe u bënë publikime në interes të tyre. Për shtypin afrikan, Afrika nuk ishte një vlerë dhe ata e shihnin atë si një kontinent që duhej të qytetërohej. Ata çdo herë i panë ngjarjet negative, nuk i panë bukuritë e kontinentit”, tha Essiane.

Sipas tij, afrikanët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe shprehen mirë duke shtuar “Kemi nevojë për gazetarë profesional, të edukuar mirë”.

“Edhe afrikanët i marrin lajmet lidhur me Turqinë nga mediat perëndimore”

Përfaqësuesi i SBM Intel në Nigeri, Cheta Nwanze, duke tërhequr vëmendjen se nuk ka një tregim të vetëm për Afrikën tha se “Duhet t’i përcaktojmë mirë interesat tona. Historia jonë është fshirë posaçërisht, sepse për të shtypur njerëzit duhet të fshish historinë e tyre”.

“Ashtu siç Turqia në të kaluarën merrte lajmet lidhur me Afrikën nga perëndimorët, ashtu edhe afrikanët marrin lajmet lidhur me Turqinë nga mediat perëndimore”, shtoi ai.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re