Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Shkup, ku pritet që liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë të mblidhen të hënën, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.

Rama është takuar me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien.

“Shkup – Me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien, në vigjilje të darkës së punës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE”, shkruan kreu i qeverisë.

Kujtojmë se në konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, do të marrë pjesë dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiç dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciç.

Në takim do të ketë edhe përfaqësues prej Bosnje-Hercegovinës.

Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen prej Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në mesin e zyrtarëve të BE-së do të jetë drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman dhe zyrtarë tjerë.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.

Pagesat është thënë se do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re