Kryeministri Edi Rama e ka konkretizuar premtimin që iu dha gazetarëve që e shoqëruan në një samit në Shkup më 22 janar për të sjellë për herë të parë në Tiranë Presidentin ukrainas, Volodimir Zelensky.

Ardhja e Zelenskyt në kryeqytetin shqiptar më 28 shkurt shihet si kthim i vizitës së Ramës në Kiev më 15 qershor 2022 së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Më 28 shkurt, presidenti i ukrainës do të pritet nga kryeministri Edi Rama. Në të njëjtën ditë, në agjendën paraprake është parashikuar një forum ku do të flitet për Ukrainën që prej dy vitesh është në luftë pas pushtimit të paprovokuar nga Rusia.

Presidenti ukrainas do të pritet në Kryeministri, ku në hyrje pritet të ketë edhe një deklaratë të shkurtër. Më pas, Shqipëria dhe Ukraina do të ulen në një tryezë të përbashkët diskutimesh. Samiti për Ukrainën synon që të koordinojë mbështetjen e Perëndimit në vijim për ketë shtet që po përballet me agresionin e paprovokuar rus dy vite më parë, më 24 shkurt 2022.

Paralelisht me samitin për Ukrainën do të zhvillohet edhe takimi tjetër i liderëve të rajonit tonë me përfaqësuesit e BE-së për planin e rritjes ekonomike dhe për të përshpejtuar anëtarësimin në këtë organizatë, si dhe sfidat e sigurisë. Brukseli ka vënë paraprakisht si afat për anëtarësimin e Ukrainës dhe shteteve ballkanike në BE vitin 2030, gjë që do të shënonte zgjerimin e dytë më të madh të organizatës që nga viti 2004 kur asaj iu bashkuan dhjetë shtete ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe shtetet Baltike. Vete kryeministri Rama deklaroi në Shkup se shtetet ballkanike mund të mësojnë nga reformat antikorrupsion të Ukrainës, që po realizohen në kushte lufte.

Shqipëria, sikurse edhe vendet e tjera të rajonit me përjashtim të Serbisë, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe ka ofruar mbështetje financiare për Kievin. Disa muaj më parë Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, i ka akorduar kryeministrit shqiptar Edi Rama, urdhrin e “Princit Jaroslav i Urti”, shkalla e parë për kontributin e rëndësishëm personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës. Që prej nisjes së konfliktit në Ukrainë në 24 shkurt 2022, Shqipëria është rreshtuar në mbështetje të përpjekjeve të saj për rezistencë ndaj agresionit rus.

Edhe gjatë mandatit 2-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria u rreshtua në krah të Kievit. Në shtator të këtij viti Shqipëria organizoi edhe një seancë të posaçme për Ukrainën, ku u ftua të flasë edhe Presidenti Zelensky, pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë.

Ndërsa në qershor të vitit 2022, Shqipëria akordoi 1 milion euro në ndihmë të rindërtimit të Ukrainës. Vizita e Zelenskyt do të pasojë atë të Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, pas dy ditësh në Tiranë, ku çështjet e sigurisë do të jenë edhe në qendër të takimeve të tij. Agresioni rus në Ukrainë ishte edhe një nga çështjet për të cilat Shqipëria si mbajtëse e Presidencës së Këshillit të Sigurimit drejtoi një debat të nivelit të lartë në shtatorin e vitit që lamë pas. Për këtë çështje dhe për rolin e vendit tonë edhe pse i vogël në zhvillimet gjeopolitike, ministri i Jashtëm, Igli Hasani, e vlerësoi një histori suksesi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re