Evropa nuk ka asnjë ekuivok, mbrojtja e interesave të Ukrainës do të jetë prioritare në bisedimet për paqe. Përpara samitit midis Vladimir Putin dhe Donald Trump në Alaska më 15 gusht, Evropa dhe Ukraina po mobilizohen për të bllokuar çdo mundësi të një marrëveshjeje paqeje midis SHBA-së dhe Rusisë që do të përfshinte transferimin e territorit ukrainas pa përfshirjen e Kievit.
Teksa e kanë përshëndetur vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u takuar me presidentin rus për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, udhëheqësit evropianë theksojnë fort nevojën për ta vazhduar trysninë mbi Moskën dhe për t’i mbrojtur interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës.
Marrëveshja mund të kërkojë që Ukraina t’i dorëzojë pjesë të mëdha të tokës së vet, gjë që sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatëve të tij evropianë, vetëm sa do ta nxiste agresionin rus.
“Negociata kuptimplotë mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose një reduktimi të armiqësive. Rruga drejt paqes nuk mund të vendoset pa Ukrainën. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimit që kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me force. Ne nënvizojmë angazhimin tonë të palëkundur ndaj sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Kjo u shkrua nga presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri polak Donald Tusk, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti finlandez Alexander Stubb, si edhe nga kryeministri britanik Keir Starmer.
Nënpresidenti amerikan, JD Vance u takua të shtunën në Londër me ministrin e Jashtëm britanik, David Lammy, dhe përfaqësues të Ukrainës dhe aleatëve evropianë për të diskutuar për përpjekjet e Trumpit për paqe.
Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e ftesës së Volodymyr Zelensky në Alaska, ku Donald Trump do të takohet me Vladimir Putin javën e ardhshme. Ky opsion po shqyrtohet, megjithëse ende nuk janë finalizuar plane. Putin deri tani e ka përjashtuar mundësinë e një takimi me Zelenskyn, i cili ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime të tilla të drejtpërdrejta.
Nga ana e tij, Zelensky shprehu menjëherë se Kievi “vlerëson dhe mbështet plotësisht” deklaratën e përbashkët të udhëheqësve evropianë për arritjen e paqes në Ukrainë, duke mbrojtur interesat ukrainase dhe evropiane.”
Trumpi do të takohet me Putinin në Alaskë të premten, për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje që mund ta zgjidhë konfliktin gati katërvjeçar. Hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme nuk janë bërë ende të ditura, përvecc paralajmërimit të Trumpi që tha se ajo do të përfshinte “disa shkëmbime territoresh për përfitimin e të dyja palëve”.


