“Pozicioni i ministrit të Brendshëm i ka shtuar vlera CV-së time, kjo për faktin se gjatë mandatit tim është arritur që të menaxhohen sfidat kryesore me të cilat është përballur vendi në fushën e sigurisë. Fatmirësisht, sot konstatoj se ende nuk e dëgjoj fjalën siguri në artikulimet e programit të ri të opozitës. Kjo tregon se siguria nuk përbën shqetësim më as për ata.

Unë dorëzova detyrën me një studim serioz, i cili konfirmonte se të gjithë parametrat e sigurisë janë në nivele të larta. Kjo konfirmohet dhe është fakt. Siguria arriti të ngrohet në nivelin më të lartë historik. Policia krijoi kapacitete që i kishin munguar historikisht.

Kjo është një pjesë e vogël e tablosë që më bën të besoj se ishte një periudhë e vështirë, por e mbyllur pozitivisht. Për të mos thënë këtu edhe përballimin shembullor ndaj institucioneve të vendit”, kështu u shpreh ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në A2.

“Këto besoj se këto nuk i japin asnjë valencë negative rrugëtimit tim politik. Qytetarët kanë një vlerësim pozitiv për performancën e ministrisë gjatë periudhës që unë e kam drejtuar”, shtoi ish-ministri.

Por, a do të jetë Lleshaj pjesë e garës me PS në zgjedhjet e 25 prillit? “Këtë nuk mund ta them unë, por PS. Garën e organizon PS. Unë kam qenë vetëm njëri nga aktorët e përfshirë në ekipin drejtues, vazhdoj të jem pjesë në ekipin politik. Nuk mund të them cili do të jetë konkluzioni i formulave. Shoh me kënaqësi të madhe faktin që PS po vjen në zgjedhje me portrete të reja. Këtë gjë unë e konsideroj shumë pozitive”, tha ish-ministri.

“Mazhoranca ka një bilanc mjaft pozitiv”

“Mazhoranca shkon në zgjedhje për t’u gjykuar nga qytetarët për ato që ka bërë. Kjo mazhorancë ka një bilanc të rëndësishëm, mjaft pozitivë, sidomos në mandatin e dytë, i cili u këput në mes nga tërmeti dhe pandemia. Menaxhimi i këtij mandati në këto kushte është bilanci kryesor me të cilin qeveria shkon në zgjedhje, përveç kësaj kanë vijuar edhe shumë reforma. Testi më i mirë për një ekip qeverisës është përballimi i krizave. Në këtë dy kriza qeveria ka dëshmuar kapacitetin e saj. Ka pasur një impenjim të madh”.

“Opozita vjen me të njëjtën ofertë si para 8 viteve”

“Po të shohim opozitën jemi në një situatë të pazakontë, historike. Opozita vjen pas 8 vjetësh me të njëjtën ofertë si para 8 viteve, me të njëjtët njerëz dhe qasje. Para 8 viteve, kjo opozitë u premtoi qytetarëve republikën e re, një nocion absurd.

Në mandatin e dytë arriti kulmin kur bojkotoi sistemin dhe doli nga roli i saj. 2019 ishte një vit dhune ndaj institucioneve të vendit. Sot vjen me të njëjtin kast, me të njëjtin qasje dhe figura. Të mos harrojmë se në CV-në e kësaj opozite janë disa drama të mëdha në historinë e re të Shqipërisë, nga ekonomia në siguri. Kjo është arsyeja që unë e shoh pa asnjë lloj sigurie premtimin elektoral”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re