Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez tha të enjten se bllokada ekonomike, tregtare dhe financiare e SHBA-së ndaj vendit të tij ka shkaktuar mbi 9 miliardë dollarë humbje.

“Unë dënoj para popullit tonë dhe bashkësisë ndërkombëtare se bllokada midis prillit 2019 dhe dhjetorit 2020 shkaktoi dëme ekonomike prej 9.157 miliardë dollarësh”, tha Rodriguez në një video të postuar në Twitter.

Ai theksoi se më 23 qershor përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të paraqesin një rezolutë që kërkon fundin e bllokadës.

Në fjalimin e tij përfundimtar para se të largohej nga posti në prill, Raul Castro, udhëheqësi i Partisë Komuniste të Kubës tha se Kuba ishte e gatshme të “ndërtonte një lloj të ri marrëdhënieve me SHBA-në”, e cila nuk ka ndodhur ende.

Megjithëse, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken muajin e kaluar gjatë Konferencës së 51-të të Këshillit të Amerikave tha se Washingtoni “do të dënojë shtypjen e të drejtave të njeriut në ishull”, presidenti Biden ka vazhduar sanksionet kundër Havana-s.

“Presidenti Donald Trump aplikoi 243 masa të reja bllokimi dhe në mënyrë oportuniste përfitoi nga COVID-19 duke i intensifikuar ato në ekstreme të reja. Administrata e Joe Biden zbaton të njëjtën politikë”, tha Rodriguez. Sipas tij, “dëmet njerëzore, vuajtjet dhe mungesat e shkaktuara në familjet kubane janë të pallogaritshme”.

Dy javë më parë, Kuba akuzoi SHBA-në se nuk ia mundëson vendit ishullor të prodhon doza të mjaftueshme të vaksinave kundër COVID-19 për qytetarët e saj, duke vonuar fushatën e vaksinimit.

Në një raport të publikuar në maj, organizata bamirëse globale “Oxfam” kërkoi nga Biden të hiqte sanksionet që kanë qenë në fuqi që nga viti 1962.

Kuba po lufton me mungesat e ushqimit dhe ilaçeve dhe krizën e saj më të rëndë ekonomike në më shumë se tre dekada. Pandemia e koronavirusit gjithashtu ka kontribuar në rënien e ekonomisë së Kubës me 11 për qind në vitin 2020.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re