Sanksionet e gjera kundër Rusisë kanë filluar të prekin qytetarët dhe radhë të gjata kanë filluar të krijohen në bankomate për shkak të problemeve me përdorimin e disa sistemeve të pagesave online dhe kartave të kreditit.
Për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës që filloi të enjten e kaluar, vendet perëndimore kanë filluar të vendosin sanksione të ndryshme ndaj ekonomisë ruse, nga financat deri në energji e teknologji.
Rusia u izolua më tej pasi aeroplanët e saj u ndaluan të fluturojnë në hapësirën ajrore evropiane dhe kanadeze, ndërsa disa banka të saj u përjashtuan nga sistemi bankar ndërkombëtar SWIFT.
Duke biseduar me AA-në, qytetarët rusë thanë se janë të shqetësuar për zhvillimet dhe se paqja duhet të arrihet brenda një kohe të shkurtër.
“Shumica prej tyre fatkeqësisht nuk e dinë se çfarë po ndodhë dhe janë të hutuar. Në përgjithësi, të gjitha janë në panik. Ata nuk e kuptojnë se çfarë po ndodhë. Unë kam probleme me kartën time të kreditit”, tha Maria, e cila jeton në Moskë.
Olga, një tjetër shtetase ruse, theksoi rritjen e çmimeve pasi qasja në ilaçe dhe ushqime thelbësore për kafshët po bëhet më e vështirë.
“Nuk më pëlqejnë këto. Unë dua paqe”, theksoi Olga.
Ndërkaq, Vyacheslav nga Moska tha se situata do të përkeqësohet brenda dy javëve.
“Shpresoj shumë që e gjithë kjo të përfundojë së shpejti me një lloj marrëveshjeje paqësore. Mendja e shëndoshë duhet të fitojë”, tha ai.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 136 civilë, përfshirë 13 fëmijë, janë vrarë dhe 400 të tjerë, përfshirë 26 fëmijë, janë plagosur.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njoftoi se të paktën 680 mijë ukrainas janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje.