Një numër i madh protestuesish u dyndën në rrugët e Sarajevës pasi një deputete boshnjake ndau me publikun disa foto tronditëse të fëmijëve të lidhur në shtretër dhe radiatorë në një jetimore ne periferi te qytetit.

Sabina Çudiç  nga partia opozitare “Partia Jonë” prezantoi fotografitë gjatë një seance parlamenti në zonën gjysmë-autonome të vendit, në Federatën Boshnjako-Kroate.

Çudiç tha se pamjet janë shkrepur gjatë vitit të kaluar në jetimoren e Institutit Pazariç, e cila shërben si strehë për fëmijë me nevoja të veçanta.

“Kjo situatë mund të konsiderohet skllavëri moderne,” tha Çudiç  në një konferencë shtypi në Sarajevë pasi prezantoi imazhet para ligjvënësve të tjerë.

Ajo tha se vendosi të informojë publikun pasi qeveria refuzoi të largojë anëtarët e Bordeve të Menaxhimit dhe Mbikëqyrjes, të cilat ajo i konsideron përgjegjës për situatën atje.

Dhoma e Përfaqësuesve nuk pranoi për të diskutuar situatën në Institut, por ka dhënë një afat prej shtatë ditësh për të hetuar rastin.

Ndërkohë, Prokuroria Kantonale e Sarajevës ka hapur hetim më vete.

Frustrimet në rrjete sociale janë gjithnjë e më të mëdha. “Ajo që ndodhi në Pazariç nuk është një incident individual. Është rezultat i një sistemi politik të dobët në Bosnje dhe Hercegovinë që ka dalë në sipërfaqe tani”, thotë psikologu Ibrahim Prohiç për Al Jazeera, duke shprehur frikën se ka edhe të tjera raste të ngjashme në institucione të ndryshme në Bosnjë, e që ende nuk janë zbuluar.

“Shoqëria boshnjake po përballet me këto probleme si rezultat i vendimit të qeverisë për të vendosur “njerëz të pamoralshëm dhe të paaftë në pozicionet drejtuese të institucioneve publike të vendit”, shtoi ai.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re