Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli tha të enjten se Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë naiv dhe se është koha të zbatohet parimi i reciprocitetit dhe proporcionalitetit për të miratuar eksportet e vaksinave.

“Ne kemi nevojë për të shpejtuar prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave dhe fushatën e vaksinimit brenda dhe jashtë BE. Por nuk kemi mundësi të jemi naivë. Eshtë koha të zbatohen parimet e reciprocitetit dhe proporcionalitetit përpara miratimit të eksporteve nga BE,”, tha ai në një fjalim drejtuar udhëheqësve të BE, të cilët filluan samitin e tyre virtual të enjten pasdite.

Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së kanë filluar një samit virtual dy-ditor, i cili do të dominohet nga lufta kundër pandemisë COVID-19 dhe përpjekjet për të shpejtuar vaksinimin e popullsisë dhe ku i ftuari i samitit do të jetë presidenti Joe Biden.

Kontroll i shtuar mbi eksportet e vaksinave

Udhëheqësit do të diskutojnë, ndër të tjera, çështjen e eksporteve të vaksinave, e cila ka acaruar shumë marrëdhëniet midis BE dhe MB.

Komisioni Evropian vendosi të mërkurën të rritë kontrollet mbi eksportet e vaksinave kundër COVID-19, duke prezantuar parimet e reciprocitetit dhe proporcionalitetit, si kritere të reja që duhet t’u përmbahen prodhuesve për të marrë një leje eksporti.

Në fjalimin e tij, Sassoli gjithashtu iu referua marrëdhënieve me Kinën, me të cilën BE kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje investimi, por marrëdhëniet janë përkeqësuar në ditët e fundit pasi BE vendosi sanksione kundër individëve në Kinë përgjegjës për shkeljen e të drejtave të njeriut të komunitetit mysliman të pakicës ujgur .

Kina u hakmorr duke vendosur sanksione ndaj pesë eurodeputetëve dhe anëtarëve të Komitetit Politik dhe të Sigurisë të Këshillit të BE.

Sassoli tha se PE, kur shqyrton së shpejti marrëveshjen e investimeve, do të kujdeset që interesat e tregtisë së lirë të mos mbizotërojnë mbi të drejtat e njeriut.

Ai përshëndeti gjithashtu rifillimin e bashkëpunimit midis BE dhe administratës së re të SHBA.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re