Skip to content

Saudia paralajmëron Netflix: Hiq përmbajtjet imorale!

Shtetet Arabe të Gjirit kanë kërkuar që Netflix të heqë të gjitha përmbajtjet që shkelin “vlerat dhe parimet islame dhe shoqërore”, njoftuan mediat saudite.

Titujt e fundit në platformën e transmetimit, duke përfshirë animacionet e destinuara për fëmijë, shkelin rregulloret, paralajmëruan në një deklaratë Arabia Saudite dhe mbikëqyrësit e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, pa elaboruar.

Megjithatë, sipas BBC, televizioni shtetëror në Arabinë Saudite, si pjesë e mbulimit të lajmeve, shfaqi klipe të paqarta nga seriali i animuar Jurassic World: Camp Cretaceous, në të cilin dy vajza adoleshente rrëfejnë dashurinë për njëra-tjetrën dhe puthen.

Raporti i Al Ekhbariya tregoi gjithashtu pamje nga filmi i diskutueshëm francez Cuties, ndërsa një titull thoshte se Netflix po dërgonte mesazhe të fshehura imorale “që kërcënojnë prindërimin e shëndetshëm”.

Një video tjetër në faqen e internetit të stacionit tha se platforma e transmetimit “promovon homoseksualitetin duke u fokusuar shumë tek homoseksualët”. Kanali intervistoi persona të ndryshëm të cilët hodhën “akuza” të ngjashme dhe u bëri thirrje organeve kompetente të marrin masa.

“Ne kemi kontaktuar Netflix për të hequr këtë përmbajtje, duke përfshirë përmbajtjen e drejtuar ndaj fëmijëve dhe për të siguruar përputhjen me rregulloret,” thuhet në deklaratën e përbashkët të Komisionit të Përgjithshëm të Mediave Audiovizive të Arabisë Saudite dhe Komisionit të Mediave Elektronike të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Autoritetet do të monitorojnë procesin e respektimit të direktivave dhe, në rast se përmbajtja në fjalë vazhdon të transmetohet përmes platformës, “do të merren masat e nevojshme ligjore”, paralajmëron e njëjta deklaratë.

Nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga Netflix për momentin. /tesheshi.com/