Arabia Saudite ka rihapur ambasadën e saj në Iran, pas më shumë se shtatë vitesh mosmarrëveshje me Teheranin, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve Irna.

Rihapja e ambasadës pasoi përmirësimin e marrëdhënieve midis dy rivalëve të Lindjes së Mesme dhe një marrëveshje të papritur të ndërmjetësuar nga Kina që u nënshkrua më 10 mars për të rivendosur marrëdhëniet, raporton AFP.

Teherani dhe Riadi ndërprenë marrëdhëniet në vitin 2016 pasi protestuesit sulmuan misionet diplomatike saudite në Iran për shkak se Arabia Saudite ekzekutoi një klerik shiit.

“Ambasada e Arabisë Saudite në Iran do të fillojë zyrtarisht punën në vendin tonë të dielën”, njoftoi IRNA, duke cituar një burim anonim nga diplomacia iraniane. Qeveria saudite nuk e ka konfirmuar ende këtë informacion.

Mosmarrëveshje për një sërë çështjesh

Irani rihapi misionin e tij diplomatik në Riad më 6 qershor, me një ceremoni zyrtare.

Teherani emëroi gjithashtu një ambasador, ndërsa Riadi nuk e ka bërë ende këtë në Iran.

Në mesin e atij muaji, Princi Faisal ben Farhane, ministri i parë i jashtëm saudit në atë vend në më shumë se 17 vjet, ishte në Iran.

Të dy vendet kanë qenë në mosmarrëveshje që nga Revolucioni Islamik në 1979 për një sërë çështjesh, kështu që ata kanë mbështetur palët kundërshtare në Siri, Liban dhe Jemen.

Në thelb, mosmarrëveshja mes tyre është fetare. Shiitët konsiderohen si devijim shqetësues nga Islami burimor, ai sunit, duke u shndërruar dhe në armiq të këtyre të fundit.

Shiizimi ka për atdhe Iranin dhe është minor në botën islame, duke u përqëndruar në Iran e Irak, pa ndonjë peshë diktuese apo joshëse në botën islame.

Pajtimi mes tyre është gjithsesi politik, shtetëror, por aspak fetar.  

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re