Sazan Guri, një nga personazhet më kontroversë në fushën e mjedisit, që ka tentuar të futet edhe në politikë, kohët e fundit ka bërë paqe me Bashkinë e Tiranës.

Guri ishte zënë disa herë, deri në degradim me kryebashkiakun Erion Veliaj në studiot televizive, ndërsa ky i fundit i rikujtonte shpesh paratë që merrte si ekspert i mjedisit për qebaptoret e Tiranës.

Por, sot “kundërshtari” i disa veprave publike, qoftë të ndërtimeve shumëkatëshe në qytete, planeve rregulluese të disa parqeve publikë, por edhe kundër disa HEC-eve, ka fituar një tender në Bashkinë e Tiranës.

Oponenca e fortë që ka bërë ndër vite duket se i ka dhënë frytet e veta, për ambjentalistin Sazan Guri, ku sipas dokumentave që disponon Gazeta SHQIP, është shpallur fitues pak ditë më parë.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Tiranë, një institucion që varet drejtpërdrejtë nga Bashkia Tiranë, ka hapur një tender me objekt: “Raport vlerësimi në mjedis dhe leje mjedisore”. Ky institucion kërkon që të bëhen disa raporte mjedisi për punët publike. Ndërkohë, sipas dokumenteve në Agjencinë e Prokurimit Publik, fitues i këtij tenderi është pikërisht Sazan Guri. Në dokumente rezulton se Guri do të përfitojë nga ky tender, nëse lidhet kontrata, rreth 6.5 milionë lekë të vjetra.

Në dokumente thuhet se afati i realizimit të shërbimit do të jetë brenda 3 muajve duke filluar nga dita e lidhjes së kontratës. Pra, për çdo muaj, Guri pritet të marrë një rrogë prej 2 mijë euro nga Erion Veliaj.

Shoqëria civile dhe tenderat

Sazan Guri në karrierën e tij, ka një kontribut të rëndësishëm për ekspertizën që ofron për problemet mjedisore. Ai flet lirshëm, i pandikuar dhe shpesh realist në situata të ndryshme.

Të fitosh një tender nuk ka asnjë problem. Por, nëse Sazan Guri shfaqet si aktivist i Shoqërisë Civile, atëherë këtu vihet në pikëpyetje pozicioni i tij.

Të marrësh fonde publike, tek një institucion që ke hedhur shumë akuza, kjo i kompromenton kauzat e ngritura për ndërtimet tek Liqeni Artificial, akuzat për kullat, për parkun e Liqenit Artificial, për ndotjen në Tiranë etj.

Nëse shoqëria civile ndërthuret me interesa financiarë të pushtetit, atëherë ky është fundi i një sistemi demokratik. Në 30 vitet e fundit, shoqëria civile në Shqipëri është etiketuar si e blerë nga politika dhe që asnjë kauzë nuk e ka çuar deri në fund.

Sazan Guri nuk është i vetmi që në emër të Shoqërisë Civile, fiton tendera dhe mplekeset me politikën. Të tillë ka plot./ gazeta-shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re