Qeveria është ende në fazën e shqyrtimit të projektit që Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërkon të ndërtojë në ishullin e Sazanit. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se pas aplikimit të  bërë në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, propozimi do të vlerësohet nëse përputhet me interesin ekonomik të vendit duke mbajtur në vëmendje mosdëmtimin e natyrës. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me gazetarin Aleksandër Furxhi, për të folur rreth këtij projekti.

-Shqipëria po merr vëmendje ndërkombëtare për Sazanin dhe Zvërnecin këto ditë. Debati publik në Shqipëri shënon një pikë kritike kur fillojnë zërat që flasin për grabitje të pasurisë kombëtare. A ekziston ky rrezik?

Selami Xhepa: Është një nga lajmet më të mira që në Shqipëri ka një projekt-ide për të zhvilluar një aset që fatkeqësisht prej vitesh qëndron i pashfrytëzuar. Prej vitesh Sazani ka qenë një aset i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm, por në kontekstin e një ekonomie të re duhet të marrë një rol të ri, të rivitalizohet. Çdo shoqëri dhe çdo ekonomi duhet t’i japë vlerë aseteve dhe pasurive që qëndrojnë të fjetura. Padiskutim që konsideratat e zhvillimit ekonomik duhet të mbahen në balancë me interesat e tjera të mbrojtjes së natyrës dhe të biodiversitetit. Impakti ekonomik dhe social që do të kenë këto projekte do të jetë me një vlerë të jazhtëzakonshme jo vetëm për turizimin në Shqipëri, por për gjith ekonominë.

-Biznesmeni Kushner dhe grupi i tij duan të vijnë në Shqipëri për Sazanin dhe për Zvërnecin. Çfarë do të duhej të bënet qeveria që të mos kapërcente disa vija të pakapërcyeshme?

Selami Xhepa: Në përgjithësi numri i investitorëve të huaj që kërkojnë të zhvendosen jashtë vendit është gjithmonë shumë i kufizuar dhe ka një garë të fortë midis vendeve për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj. Shqipëria duhet të bëjë një garë dhe duhet të ofrohen lehtësi burokratike që kanë të bëjnë me përshpejtimin e procedurave dhe me përgatitjen e gjithë dokumentacionit në mënyrë që projekti i investimit të fillojë sa më shpejt. Nëse investitorët kërkojnë një partneritet me qeverinë shqiptare, ku qeveria duhet të ofrojë një pjesë të aseteve të saj, në këtë rast hyjmë në negociata për të ndarë përfitimet që krijohen nga projekti dhe çdo proces negociate ka nevojë për ekspertizë të mirë. Në fund të fundit, një projekt që nuk ruan mjedisin nuk është një projekt i qëndrueshëm dhe afatgjatë. Por duke parë natyrën e investitorit, qoftë kompaninë që është propozuar për të qenë menaxhere, qoftë fondin e investimeve, mendoj që këto janë standarde që mund të konsiderohen plotësisht të arritura, ndryshe nga skepticizmi që kemi krijuar me të drejtë nga projektet që janë zhvilluar deri tani në Shqipëri dhe nga zhgënjimet që janë krijuar dhe nga investitorë të huaj. Nëse kjo do të realizohet, unë mendoj se do të jetë një nga projektet më të rëndësishme që do të ketë turizmi në Shqipëri.

-Ju e përmendët çështjen e thithjes së investimeve të huaja. Si paraqitet Shqipëria në këtë parametër?

Selami Xhepa: Investimet e huaja në Shqipëri kanë pasur zhvillime pozitive, në kuptimin që nga një vit në tjerin kanë ardhur në rritje, por që fatkeqësisht nga pikëpamja strukturore problemet mbeten serioze në kuptimin që pjesa më e madhe e investimeve kanë shkuar në ato sektorë të ekonomisë të shërbimeve, të cilat nuk prodhojnë vlerë të lartë të shtuar për ekonominë. Nuk po flas thjesht për turizmin, por për shfrytëzimin e pasurive natyrore apo segmente që nuk kanë arritur të depërtojnë në industirtë e vlerës së lartë të shtuar që mund ta integronin më mirë vendin në zinxhirin global të prodhimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re