Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj është shprehur se protesta e 20 shkurtit do të jetë ringritje për Partinë Demokratike.

Deputeti Gjekmarkaj shprehet se tashmë s’ka më të ndërmjetme dhe duhet vendosur “ose me opozitën e me të ardhmen evropiane, ose me qeverinë dhe të shkuarën tranzitive që na le peng”.

“Ne nuk dalim në shesh për inat as të udhëhequr nga urrejtja. Ne dalim nga dashuria për dinjitetin njerëzor, nevoja jetike për liritë e drejtësinë, për  të tashmen e të ardhmen e Shqipërisë kaq te rrezikuara sot. Ne e duam Shqipërinë demokraci jo autokraci”, shprehet Gjekmarkaj.

Ai shprehet se protesta duhet shndërruar në një institucion i epërm i një Shqipërie që nuk ka më Kushtetutë e Parlament.

“Protesta nuk fillon vetëm për ti treguar Edi Ramës vendin politik që meriton, cinike ta thuash por e vërtetë, ne do jemi aty edhe për ti dhënë atij vetë, mbështetësve të tij një Shqipëri më të mirë nga kjo që kemi sot”, thekson deputeti demokrat.

 

Agron Gjekmarkaj: Fuqia emancipuese e Protestes. Memoria  e shkurtër është gjithmonë e rrezikshme. Partia Demokratike nuk duhet të humbë kurrë krenarinë së kujtuari që u solli shqiptarëve lirinë, pluralizmin, aleancën me perëndimin, ekonominë e tregut, të drejtat e njeriut, përpjekjet për shtet ligjor, lëvizjen e lire pa viza, procesin e integrimit , NATO-n dhe veprat e mëdha infrastrukturore në 13 vite që ajo qeverisi.

PD në dhjetor 1990 emancipoi bashkohësinë shqiptare. Sot duke tejkaluar ndasitë, me debatin e fortë simbol i një kohë që lamë pas realizoi bashkimin që dukej i pamundur. Vullnetet e lira me dashuri për këtë vend , me përkushtim ndaj PD këtij aseti kombëtar, të pamundurën e bënë të mundur kësaj here duke emancipuar vetveten dhe krijuar modelin e ringritjes.

PD lindi në dhjetor nga protestat e studenteve ajo ringrihet në shkurt 2024 nga protesta e një populli të ndaluar në liritë e tij, në votën e lire, në dëshirën për ndryshim, në traditën për të jetuar në trojet e veta i pa vjedhur, i pa shantazhuar, peng i keqqeverisjes , korrupsionit, skandaleve me inceneratorë e jo vetëm, banalitetit, arrogancës, patronazhimit, dhunimit të opozitës duke mohuar Kushtetutën.

PD po krijon ngjarjet e saj në sintoni me nevojat e shoqërisë.  Politika shqiptare është ende larg aspiratave të opinionit publik. Asaj i duhen njerëz të lirë, elitat dhe  profesionistet e vet dhe jo robotë si garanci për alternativat dhe gjykimin kritik.

PD në vigjilje 20 shkurtit është një parti që ecën, me impenjimin  që interesat e qytetarëve do të mbrohen po kaq ëndrra e tyre për tu qeverisur ndershmërisht e me standarde demokratike.

Protesta e 20 Shkurtit është bashkëbisedimi i saj i madh me shqiptaret. PD u dëshmon  atyre që Opozita doli nga rrethimi. Ajo është e qartë në objektivat e veta për të mundur “Rilindjen” duke dizenjuar projektin që jua kthen Shqipërinë qytetarëve  të saj. Ne do ja heqim një kaste që e ka shtrënguar me thonjtë e vet.

Në emër të fëmijëve tanë që i duam këtu kur të rriten dhe jo kandidat për emigrantë! Në emër të një ëndrre që nuk po e shohim të bëhet realitet, një vije horizonti që largohet sa herë i afrohemi, të asaj, të busullës “Shqipërinë si gjithë Europa” ta shndërrojmë protestën në Institucion të epërm të një Shqipërie që nuk ka më Kushtetutë e Parlament.

Sot nuk ka më ndërmjet!! O me Opozitën e me të ardhmen evropiane, o me Qeverinë e të shkuarën tranzitive që na le peng. Indiferenca punon kundër Shqipërisë.

Protesta nuk fillon vetëm për ti treguar Edi Ramës vendin politik që meriton, cinike ta thuash por e vërtetë, ne do jemi aty edhe për  ti dhënë atij vetë, mbështetësve të tij një Shqipëri më të mirë nga kjo që kemi sot.

Ne nuk dalim në shesh për inat as të udhëhequr nga urrejtja. Ne dalim nga dashuria për dinjitetin njerëzor, nevoja jetike për liritë e drejtësinë, për  të tashmen e të ardhmen e Shqipërisë kaq te rrezikuara sot. Ne e duam Shqipërinë demokraci jo autokraci.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re