Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj duhet të bëjë regjim shtrati për pak ditë pasi gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Në një shkrim në Facebook sqaron se ishte këmbëngulja e mjekëve që e bëri të qëndrojë në shtëpi dhe jo të jetë pranë grevistëve.

“S’do ta besoja që shëndeti të bëhej pengesë për të mos qenë të gjithë bashkë në këto ditë të vështira. Grevën po e bëjnë këto heroina. Jam në komunikim me to cdo orë të ditës dhe natës”, shkruan Dautaj duke iu referuar grave që  kanë zëvendësuar burrat dhe po qëndrojnë brenda uzinës.

Kreu i Sindikatës uron që këto gra të sjellin arritje për pagat e pamarra prej disa muajsh, për të cilat janë zhvilluar shpesh herë protesta pasi naftëtarët ankohen se nuk kanë si të rrisin familjen.

“Shpresoj që dhe ju të jeni në mbështetje deri në arritje të fitores mbi pagat tona. Këto janë orët finale. Mos u tregoni indiferentë, kur kauza është e përbashkët. Më keq se c’na ka gjetur, s’besoj të ketë, dhe si e shihni, të gjithë bëjnë viktimën, askush s’mban përgjegjësi. Vetëm të bashkuar fitojmë”, përfundoi Dautaj. (A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re