Është zbardhur dëshmia e dy infermiereve në azilin e të moshuarve, Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, të cilat u arrestuan nën akuzën se tentuan të fshihnin vrasjen e 82-vjeçarit Virxhil Vesho nga shoku i tij i dhomës, historiani Zyhdi Shehu.
Virxhil Vesho (lart, majtas) & Zyhdi Shehu (poshtë, majtas)
Ato janë shprehur se nuk menduan se kishin të bënin me një vrasje, por që 82-vjeçarit ishte rrëzuar nga mosha e thyer dhe kishte humbur jetën.
Dy infermieret e turnit janë shprehur se kanë telefonuan agjencinë funerale. Dhe kur agjencia ka marrë trupin, e kanë rikthyer sërish në azil pasi kanë vënë re se ka pasur dëmtime të shumta në trup.
“Në fillim nuk e menduam se kishim të bënim me vrasje dhe nuk e menduam dhe e dinim që duhet të lajmëronim policinë. Pasi e pamë menduam që është rrëzuar dhe ka ndërruar jetë. Edhe për shkak të moshës së thyer nga rrëzimi aksidental menduam që i ka ardhur vdekja.
Në fillim kemi marrë në mëngjes agjencinë funerale në telefon dhe i kemi thënë për të marrë trupin. Më pas ata u rikthyen dhe na treguan se viktima kishte dëmtime të shumta. Më pas Agjencia funerale ka lajmëruar pronarin e azilit dhe ky i fundit njoftoi policinë. Nuk ishte qëllimi ynë që të fshihnim ngjarjen“, thanë infermieret.
Sipas policisë që iu ka referuar autopsisë së viktimës, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.00 të mëngjesit të djeshëm (8 Gusht), ku 78-vjeçari ka goditur shokun e dhomës me bastun hekuri duke i marrë jetën
Policia ka ngritur akuzën “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj dy infermiereve.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, më datë 08.08.2024, ndodhur në një azil privat për të moshuarit, ku shtetasi Z. Sh., 78 vjeç, ka goditur me bastun shtetasin V. V., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën, ju informojmë se:
Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara të kryera u arrestuan shtetaset G. S., 26 vjeçe, dhe N. M., 31 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, me profesion infermiere në azilin ku akomodoheshin dy të moshuarit. Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë konsumuar veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.
Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, raportuan uniformat blu.
