Mes debatesh të forta dhe tensione është shoqëruar seanca e fundit për këtë sesion parlamentar, e cila zgjati deri në orët e para të mëngjesit.

 

Kuvendi i Shqipërisë miratoi 3 projektligjet që kanë qenë kryefjalë e ditëve të fundit, atë të studentëve të mjekësisë, legalizimin e kanabisit dhe zgjatja e mandatit të Skënder Gjinushit në Akademinë e Shkencave.

 

Në seancë, ku ishin prezentë 95 deputetë u miratua me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për studentët e Mjekësisë. Studentët e Mjekësisë do firmosin një marrëveshje që do të punojnë në Shqipëri për 5 vite pas diplomimit.

 

Kjo nismë e qeverisë për frenimin e ikjes së studentëve nga vendi i tyre, solli pakënaqësi tek mjekët e rinj, të cilët akuzuan qeverinë se po i kthen pas në kohën e komunizmit. Në të njëjtën linjë qe edhe opozita, të cilët përsëritën se nisma është antikushtetuese.

 

Një tjetër projektligj që së fundmi kishte ngjallur shumë debate ishte legalizimi i kanabisit mjekësor. Edhe ky projektligj u miratua në seancë plenare me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime. Kjo nismë e qeverisë pati sërish përplasje mes opozitës dhe mazhorancës, ku kjo e fundit akuzohej se po i jepte një mundësi të artë krimit që të kishin Shqipërinë territor të lirë për të kultivuar bimë narkotike.

 

Kreut të Akademisë së Shkencave tashmë do t’i lejohet të ketë një mandat të dytë. Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 70 vota pro, 23 kundër dhe 2 abstenim pr/ligjin për Akademinë e Shkencave.

 

Sipas kësaj nisme të propozuar nga dy deputetë të mazhorancës, kryetari i Akademisë së Shkencave i lejohet një mandat i dytë ndërsa i hiqet edhe kufizimi i moshës 75 vjeç. Edhe ky projektligj ka qenë qysh herët i kritikuar dhe i kundërshtuar nga opozita, sipas të cilëve po favorizohet Skënder Gjinushi i cili përpos se ka qenë pjesë e politikës nga kampi rozë, nuk është as akademik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re