Seanca gjyqësore ndaj Monika Kryemadhit ka vijuar këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Kryemadhi ka kundërshtuar provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Gjatë mbrojtjes së saj, Kryemadhi deklaroi se organi i akuzës po i interpreton mesazhet dhe komunikimet elektronike jashtë kontekstit, duke i përdorur si prova për të mbështetur akuzat.
“Jemi në faqen e 46 të aktakuzës. Jam e detyruar të bëj një analizë shkencore, pasi akuza bën interpretime të ndryshme. Në 167 email-et që Adrian Shatku ka me mua, vetëm katër janë përdorur nga akuza, ndërsa të tjerat nuk kanë asnjë lidhje,” u shpreh ajo.
Kryemadhi iu referua edhe një komunikimi ku, sipas saj, përmendet fraza “U firmos dhe u shpërnda te të gjithë ministrat”, ndërsa Adrian Shatku i përgjigjet me fjalën “Urime”. Sipas saj, SPAK e konsideron këtë mesazh si provë penale, megjithëse vendimi përkatës nuk është miratuar.
“Akuza është e bazuar në interpretime dhe deduksione të mesazheve. Kjo VKM nuk u miratua nga Ministria e Inovacionit, ndaj nuk mund të përdoret si provë e një ndikimi të paligjshëm politik,” tha Kryemadhi.
Ajo shtoi gjithashtu se, edhe pse SPAK pretendon se çështja që lidhet me seksionin e fibrës optike është e parashkruar, e ka përfshirë atë në aktakuzë për të rënduar pozitën e të pandehurve.
Sipas Kryemadhit, një pjesë e komunikimeve të datës 11 prill me Adrian Shatkun janë shkëputur nga kronologjia dhe janë paraqitur në mënyrë selektive nga prokuroria.
Seanca në GJKKO vijon me shqyrtimin e provave dhe pretendimeve të palëve.
