Gjykata Kushtetuese vijon sot seancën e ndërprerë të dy ditëve më parë për të shqyrtuar vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

 

Përfaqësuesi i Presidentit Meta deklaroi në seancë se Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen në periudhë zgjedhjesh duke iu referuar komisionit hetimor për shkarkimin e Kreut të Shtetit.

 

“Edhe nëse një veprimtari hetimore ka nisur, në zbatim të ligjit për komisionet hetimore ka për detyrë ta ndërpresë atë sepse komisionet hetimore nuk mund të ngrihen dhe të funksionojnë në periudhë zgjedhjesh.Përveç kësaj, kuvendi përmes këtij procesi hetimor ka tentuar të ndërhyjë në mënyrën sesi presidenti kërkon të ushtrojë kompetencat e tij. Gjë që tregon se kuvendi ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve edhe pse në mungesë të lëndës për të shkarkuar presidentin, përsëri janë shkelur të gjitha parimet e shtetit të së drejtës, si ai i paanësisë. Që me zhvillimin e zgjedhjeve të 2017, OSBE vuri re blerje votash, vjedhje etj.

 

Në seancën e kaluar u morën shembuj të doktrinave kushtetuese të shteteve të ndryshme, por nuk i ngjajnë aspak asaj të shtetit shqiptar. Pas shkurtit të vitit 2019 kur u tërhoq opozita, dhe kur nisi punë shkarkimi i presidentit, grupet parlamentare nuk përfaqësonin opozitën.

 

Këto dhe disa të tjera tregojnë që ky proces shkarkimi është bërë me qëllim hakmarrjeje.Gjithashtu kuvendi ka përçuar në publik mesazhin se sikur kuvendi qëndron mbi palët dhe duke marrë kompetencat e institucionit të Presidentit.

 

Kriza tjetër politike ishte zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm, i cili u zgjodh me 69 vota, në kundërshti të kushtetutës. Ky ishte shkaku i parë i thellimit të krizës politike.Pra, me këto grupe parlamentare, nuk u përfaqësuan partitë opozitare legjitime dhe si pasojë edhe vendimi për shkarkimin e presidentit nuk ka vlerë”, deklaroi Dervishaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re