Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nis parashtrimin në seancën dëgjimore në KLGJ për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit Markelian Kuqo.

Kreu i ILD, Artur Metani është shprehur se  nuk janë zbatuar kërkesat mbi plotësimin e kritereve ligjore me natyrë subjektive, siç janë “arsyet e veçanta” apo “rastet e jashtëzakonshme”.

“Faktet dhe rrethanat janë parashtruar dukshëm në mënyrë të shtrembëruar dhe vetëm për t’ju përshtatur plotësimit të kërkesave formale (me natyrë objektive) si dhe atyre me natyrë subjektive të nenit 64 dhe 65 të Kodit Penal.

Nga ana e magjistratit nuk është mbajtur në konsideratë krahas jurisprudencës së Gjykatës së Lartë në lidhje me këtë institut të së drejtës penale edhe vetë praktika e tij e ndjekur gjatë trajtimit të kërkesave me objekt “Lirim me kusht”;

Këto veprime/mosveprime të magjjistratit janë kryer në mënyrë drejtpërdrejtë, të vazhduar, të vullnetshme dhe të pajustifikuar brenda të njëjtit proces, duke arritur në përfundimin se janë kryer me dashje direkte nga ana e tij.

Vlerësohet se për veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit Markelian Kuqo që parashikohen si shkelje disiplinore nga neni 101, pika 1, shkronja “b” dhe neni 102, pika 2, shkronjat “a” dhe “b”, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar; që përbëjnë “Shkelje shumë e rëndë disiplinore” dhe  që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, duhet të jepet masa disiplinore “Shkarkim nga detyra”, ka deklaruar Metani në seancë.

Kërkesa e depozituar në KLGJ, është bërë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, pasi gjyqtari Markelian Kuqo ka liruar në mënyrë të dyshimtë nga burgu Gert Gjinararin, i njohur si një prej të “fortëve të Tiranës”, ndryshe “Gjenerali”.

Gert Gjinarari u dënua me “burgim të përjetshëm” për vrasjen e të fortit të Tiranës, Naim Zyberi, në Itali në vitin 1999, dhe u lirua nga qelia në 14 shkurt 2019.

Pas këtij vendimi për lirimin e “Gjeneralit”, Ministria e Drejtësisë kërkoi hetimin e rastit.

Me sa duket ekspertët e ligjit në ILD, kanë konkluduar se Kuqo ka qenë kontradiktor në zbatimin dhe referimin e ligjit për “Lirimin me kusht”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re