Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje deputetëve demokratë që të ndjekin çdo seancë në Gjykatën Kushtetuese, ku do të gjykohet çështja e Butrintit.

Komentet Berisha i bëri gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, ku tha se mafia në pushtet kërkon të marrë 800 hektarë tokë nga Butrinti.

Ai shtoi se pushtetarët kanë përcaktuar edhe vendet se ku do të ndërtojnë vilat e tyre në Butrint.

“Një nga çështjet shumë të rëndësishme që do të sjell sot në vëmendjen tuaj është Gjykimi në Gjykatën Kushtetuese i njërës prej aferave më të mëdha korruptive që është ajo e Butrintit. Zotëri deputetë jeni të lutur të ndiqni çdo seancë. Kemi të bëjmë me një aferë të tmerrshme në të cilën shkatërrohet në mënyrë përfundimtare parku i Butrintit. Në të cilën mafia shqiptare merr mbi 800 hektarë në Kepin e Stillës dhe zona të tjera, i shkëput nga qyteza. E tëra sipas një projekti të paramenduar në këtë mënyrë. I implikuar fund e krye këtu është fondacioni shqiptaro-amerikan. Gjatë periudhës së qeverisjes tonë kemi zgjeruar rrugën e Butrintit, sepse rrezikohej për aksidente.

Ai park në tërësinë e vetë është pasuri botërore në UNESCO, është pasuri përrallore e shqiptarëve. Nëse mendojmë që të mos shkatërrojmë çdo gjë vetë, por tua lëmë brezave të ardhshëm. Tani duan ta shkatërrojnë. Janë me dhjetëra mafiozë me pushtet që kanë përcaktuar ku do të ndërtojnë vilat. E konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme këtë mbrojtje. Unë kam patur marrëdhënie shumë të mira me presidentin e fondacionin, por mbeta i zhgënjyer kur e dëgjova që të thoshte për zërin e Amerikës se çfarë bëri qeveria me pjesën që u shkëput nuk është puna ime. I them që ajo është puna e shqiptarëve. Parku i Butrintit, njëlloj si Porti i Durrësit, janë vlera të përjetëshme të kombit shqiptar. Ne natyrisht do të bëjmë çdo përpjekje me institucionet ndërkombëtare që të mbrojmë interesat”, u shpreh Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re