Skip to content

Seanca për Kosovën, Shehu për Panorama TV: Rezoluta e PS ka elementë që tregojnë afrimitetin e Ramës me Vuçiç, dënojnë sulmin terrorist, por nuk tregojnë kush fshihet pas

Deputeti demokrat Tritan Shehu, në një intervistë ka folur në lidhje me seancën e ditës së nesërme, ku do të diskutohen dy rezolutat ajo e PD dhe e PS, për  sulmin në veri të Kosovës.

Shehu u shpreh se rezoluta e PS tregon afrimitet të Ramës dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, të cilën e argumentoi duke e krahasuar me rezolutën e PD-së.

“Në rezolutën e PS kemi shumë elementë të tjerë që tregojnë afrimitet të Ramës me Vuçiç. Në asnjë rast nuk ka bërë një kritikë ndaj Serbisë. Kjo është e vërteta dhe duket në çdo kolonë të rezolutës së PS.

Në rezolutën tonë kërkohet një hetim ndërkombëtar, në të PS hetim nga Serbia. Nuk mundet që agresori të hetojë veten e tij. Kjo është pika e dytë e një hetimi thelbësor. Në rezolutën tonë kërkohet që qeveria shqiptare të koordinohet me qeverinë e Kosovës, gjë që nuk kërkohet në rezolutën e PS dhe bile atje eksperienca tregoi se Rama nuk ka vepruar duke u koordinuar me qeverinë e Kosovës për hapa mjaft sensibël si çuarja e një drafti për Asociacionin apo kontrolli i veriut të Kosovës nga KFOR. Kosova, është shtet sovran, ka qeverinë e vetë, popullin e vetë.

Ne kemi kërkuar në një amendament të shpallen terroristë organizatat në veri të Kosovës, njësoj si qeveria e Kosovës, ndërsa PS nuk e ka kërkuar.

Është cilësuar sulm terrorist nga PS, por nuk e specifikon kush. Ata janë të përgatitur dhe stërvitur nga Vuçiç. Në këtë mënyrë është krijuar një divergjencë mes dy materiale dhe nuk di nëse do të zgjidhet dot nesër”, tha Shehu.

Pyetje:  Çfarë ndodh nëse nuk bini dakord?

Shehu:Ne do të paraqesim rezolutën tonë, shpresoj të biem dakord.

Pse ka frikë mazhoranca të thotë të vërtetën se kush fshihet mbrapa sulmit terrorist. Tingëllon gjithçka artificiale. Pse mos themi që qeveria shqiptare të koordinohet me atë të Kosovës? Pse mos të hetojnë ndërkombëtaret, por ta lëmë hetim serb? Serbët janë shkaktarët.

Pyetje: Çfarë nëse PS merr vendimin të marrë parasysh disa pika?

Shehu: Do të vlerësojmë se cilat do të merren parasysh dhe sa esenciale janë. Është një vlerësim kompleks, jo aritmetik.

Pyetje: Deklaratat e kryeministrit ndikojnë në praktikat që do të ndjekë BE?

Shehu: Absolutisht jo. Janë deklarata të përsërituar të Vuçiç. Thjesht Rama ripërsëriti kërkesat e Vuçiç dhe ai e di vetë pse.

Kujtojmë se këtë të enjte (12 tetor) mblidhet Kuvendi në seancë të posaçme për Kosovën, konkretisht për sulmin terrorist në fshatin Banjskë në Veri, të kryer më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Ndërkohë, aktualisht po zhvillohet Konferenca e Kryetarëve dhe vijojnë negociatat mes palëve politike për një rezolutë të përbashkët.

Seanca pritet të shoqërohet me debate nëse dy palët nuk bien dakord për një rezolutë të përbashkët.

Rezolutat e mazhorancës dhe opozitës janë të ngjashme. Pika ku nuk përputhen me njëra- tjetrën është se, opozita e cilëson sulmin në veri të Kosovës të orkestruar nga Beogradi zyrtar, ndërsa mazhoranca nuk e pohon një gjë të tillë.

“”