Sot në Gjykatën e Lartë do të mbahet seanca për “vulën” e Partisë Demokratike. Ndërkohë në ambientet e Gjykatës ka prezencë të shtuar të forcave të policisë, pasi opozita e Sali Berishës ka paralajmëruar edhe një protestë.  

Gjykata e Lartë do të vendosë mëngjesin e së mërkurës për rrugën që do t’i japë çështjes së kujt i përket vula dhe simbolet e Partisë Demokratike. Në Dhomë Këshillimi do të shqyrtohet kërkesa e paraqitur prej mbështetësve të Berishës, sipas të cilëve, në fuqi duhet të jetë vendimi i Shkallës së Parë, ku Agron Zhukri të drejtën ia la Kuvendit të 11 dhjetorit të “Rithemelimit”.

Sipas procedurës, trupa do të ketë mundësinë që të marrë vendim pa dëgjuar palët, por në shqyrtim të dokumenteve. Të tria mundësitë mbeten të hapura, ku një është lënia në fuqi e Apelit, që kërkon rishqyrtimin e plotë të çështjes, duke shfuqizuar vendimin “Zhukri”, pra të shprehet në favor të grupimit “Basha”.

Një tjetër zgjidhje është rrëzimi i Apelit dhe lënia në fuqi e vendimit të Zhukrit, duke ia kaluar të drejtat Berishës. Në të dyja mundësitë, palët mund të ankimojnë vendimin respektiv në Gjykatën Kushtetuese. Një zgjidhje e tretë është që nga Dhoma e Këshillimit, çështja të kalojë në seancë me përballje të palëve.

Ndërkaq, procesi do të shoqërohet me protesta të thërritura nga Berisha para Gjykatës së Lartë, tubim i kërkuar në orën 09:00 në të njëjtin moment kur Gjykata e Lartë do të mblidhet për të dhënë vendimin, që ka nisur dy vite më parë në dhjetor të vitit 2021. Deputeti demokrat, Flamur Noka tregoi dje disa detaje nga protesta, ndërsa tha se nëse vula do t’i jepet Bashës, aksioni opozitar do të intensifikohet edhe më shumë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re