Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka zhvilluar një seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, në lidhje me masat e ndërmarra për fillimin e vitit të ri shkollor 2019-2020 në arsimin parauniversitar.

 

Në fjalën e saj, Ministrja Shahini theksoi se për herë të parë sivjet janë bërë edhe inspektime të aspektit kurrikular të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, ku 260 shkolla në mënyrë të rastësishme janë zgjedhur për t’u inspektuar.

 

“Nuk i kemi njoftuar paraprakisht, kështu që shkollat nuk e kanë ditur se ku do të shkojmë për të bërë inspektimin, ndaj të gjitha janë përgatitur me kohë. Kemi parë edhe nëse mësuesit janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor; i kanë të gjitha dokumentacionet gati; apo nëse tekstet shkollore janë pranë shkollave dhe gati për t’u shpërndarë tek nxënësit. Kështu që 16 shtatori na ka gjetur plotësisht të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor dhe kemi filluar që ditën e parë me mësim të plotë”, u shpreh ajo.

 

Ministrja Shahini u ndal gjithashtu edhe tekstet shkollore falas, një nisëm e ndërmarrë vitin e kaluar por që në këtë vit shkollor janë shtuar edhe klasat e 5-ta duke mbyllur kështu plotësisht ciklin fillor të arsimit parauniversitar me libra falas.

 

“Ajo që kemi mësuar nga vjet, gjë që e kemi dëgjuar edhe sivjet, është që shumica e familjeve kanë qenë shumë mirënjohëse për këtë kontribut që jemi munduar ta bëjmë në shërbim të fëmijëve të tyre, për shkak se ka hequr një barrë financiare nga barra e përgjithshme që kanë për të edukuar fëmijët e tyre. Kemi mësuar edhe diçka tjetër. Me përkushtimin e madh të prindërve, të mësuesve dhe të drejtuesve të shkollave, një pjesë e madhe e librave janë ruajtur mjaftueshëm mirë dhe mund të ripërdoren sivjet”, shtoi Ministrja Shahini ndërsa nënvizoi se “së shpejti do të arrijmë të përfshijmë klasën 6 – 7, e më pas klasën 8 dhe 9, ashtu siç kemi paralajmëruar deri në vitin 2021. Kështu që i gjithë arsimi i detyrueshëm do të përfshihet tek nisma e teksteve falas”.

 

Ministrja Shahini tha gjithashtu se hapa të mëdhenj janë bërë edhe në sistemin parashkollor, ndërsa nënvizoi se sivjet është mbyllur kurrikula për parashkollorin.

 

“Po flasim për vitet përgatitore, 5 dhe 6, por edhe 3 -4, 5, pra të gjithë fëmijët që janë në parashkollor – sot punojmë me kurrikula të reja. Këtu e kam një lajm të mirë, të cilin e kam përmendur edhe më parë, por ndoshta nuk e di nëse të gjithë jeni të informuar: Shqipëria zë vendin e parë në rajon për përfshirjen e fëmijëve në arsimin parashkollor. Janë afro 80% e të gjithë fëmijëve në moshat 3 deri në 6 vjeç që janë të përfshirë në një formë të shkollimit apo tjetër. Ky është një sukses i madh. Vendi tjetër pas nesh është Mali i Zi me 56% përfshirje. Vendet e tjera janë me më pak përfshirje se kaq”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re