Në lidhje me arrestimin e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha dhe grupit të përfshirë në skemën korruptive, të cilët po planifikonin lirimin e një të dyshuari për vrasje, ka sjellë dhe reagimin e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Përmes një postimi në Twitter-in e institucionit thuhet se zbatimi i Reformës në Drejtësi është luftë dhe tani është koha që secili të bëjë llogaritë e veta.

“Duke pershendetur aksionin e djeshem te SPAK, dua te nenvizoj se zbatimi i reformes ne drejtesi, adresimi i paligjshmerive ne sistem eshte lufte. Tani eshte koha qe secili te beje llogarite e veta!”, shkruan ILD në Twitter.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit dha dje njoftimin zyrtar lidhur me megaoperacionin që çoi në pranga 10 persona, përfshirë gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha, dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni.

Burime bëjnë me dije se gjyqtarja Hoxha në bashkëpunim me disa persona të tjerë, po përgatiteshin që të nxirrnin nga burgu shtetasin Sajmir Petani.

Ky i fundit është i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe ishte ekstraduar nga Italia vetëm në Maj të 2020-tës, por duket se i rrinte ”ngushtë” burgu i Fushë Krujës, dhe për këtë ka nisur tratativat për korruptimin e gjyqtares Hoxha, e cila është e famshme për lirimin nga burgu të personazheve të njohura të botës së krimit.

Si prova materiale SPAK ka sekuestruar kompjuterat personalë të personave të ndaluar.

Gazetari i Fax News Elvis Myrta raporton se ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e korrupsioni, shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të funksionarëve publikë.

Gjyqtarja Hoxha është bërë e njohur për lirimin nga burgu me procedura të dyshimta të disa personazheve të njohur të botës së krimit si Endrit Dokle, Genc Tafili dhe Ilir Paja, dhe po ashtu lirimin e Hekuran Billës, i cili do të vritej më vonë në një atentat në Tiranë. (LEXO LAJMIN E PLOTË)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re