Në Vjenë të Austrisë  zhvilloi punimet forumi për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore,  një organizim i përvitshëm i “Euromoney” që mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi, figura të njohura të fushës politike, ekonomike e financiare ngtë këtyre vendeve.

 

Diskutimet e panelit u fokusuan në tema me rëndësi që lidhen me ekonomitë e vendeve të EQL-së, si dhe më në veçanti: me efektet e pritura të përfundimit të lehtësimit monetar të ndërmarrë nga Banka Qendrore Evropiane; divergjencën e cikleve të ekonomive kryesore globale; ecurinë e inflacionit në vendet e rajonit; perspektivat e tregut të kursit të këmbimit; ndryshimet strukturore në sistemet e pagesave; roli i bankave në politikën monetare etj.

 

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Ai theksoi se Shqipëria po përjeton një rimëkëmbje të qëndrueshme ciklike, me rritje të përshpejtuar gjatë tre viteve të fundit, duke e afruar ekonominë vendase drejt ekuilibrit.

 

Gjithashtu, Guvernatori Sejko u shpreh se qëndrimi i politikës monetare të BQE-së ka një ndikim të fortë dhe të drejtpërdrejtë në ekonomitë dhe sistemet financiare të rajonit, si rezultat i afërsisë gjeografike të tregjeve, integrimit financiar, si dhe konvergjencës më të fortë ciklike.

 

Në këtë perspektivë, qëndrimi aktual akomodues i politikës monetare në Eurozonë ka qenë në përputhje me politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Po ashtu, shtrëngimi i kushteve monetare në Eurozonë pritet të ndodhë afërsisht në paralel me reduktimin e stimulit monetar në Shqipëri.

 

Për këto arsye, Guvernatori vlerësoi se Shqipëria nuk do të ketë efekte të forta negative nga përfundimi i programit të lehtësimit monetar të ndjekur nga Banka Qendrore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re