Inflacioni në Shqipëri ka pësuar rënie. Këtë e ka bërë të ditur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

 

Sejko në një dalje për mediat deklaroi se gjatë tremujorit të dytë është regjistruar vlera mesatare 4.7%.

 

“Inflacioni shënoi rënie gjatë tremujorit, duke regjistruar një vlerë mesatare prej 4.7% në muajt prill-maj. Kjo dinamikë është diktuar nga rënia e inflacionit të çmimeve të ushqimeve të përpunuara, të naftës dhe të produkteve të lidhura me të, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës është shfaqur relativisht i qëndrueshëm.

 

Në aspektin makroekonomik, trendi rënës i inflacionit pasqyroi ecurinë e ngjashme të këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros, si dhe efektet e bazës së lartë krahasuese. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten të larta, në pasqyrim të kërkesës së lartë për mallra e shërbime, të kushteve të shtrënguara në tregun e punës dhe të rritjes së shpejtë të pagave e të kostove të punës”, u shpreh ai.

 

Sa i përket gjendjes ekonomike të vendit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë paralajmëroi rritje të saj dhe rënie të mëtejshme të inflacionit.

 

“Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe se inflacioni do të shënojë rënie graduale dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

 

Rënia e inflacionit do të pasqyrojë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tregjet globale dhe normalizimin e qëndrimit të politikës monetare në vend. Ky normalizim do të krijojë një balancë më të mirë midis kërkesës dhe ofertës, do të mbështesë stabilitetin e tregjeve financiare si dhe do të ndihmojë në kontrollin e pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin”, theksoi Sejko.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re