Sekretari Amerikan i Mbrojtjes James Mattis zhvilloi bisedime me Ministrin e Shtetit të Katarit për Mbrojtjen Khaled Al Attiyah, në selinë e Pentagonit këtë të martë, ku u konfirmua partneriteti strategjik i sigurisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Katarit, dhe vazhdimi i bashkëpunimit të përbashkët në fushën e sigurisë.

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes vlerësi rolin e Katarit në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme. “Ne e konsiderojmë Katarin një mik të vjetër dhe partner ushtarak për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, dhe për mbështetjen e misionit të NATO-s në Afganistan. Dua të theksoj këtu operacionin e suksesshëm që realizuat me transportimin e ndihmave humanitare në Afganistan në kuadër të misionit të NATO-s, çka dëshmon rolin tuaj ndërkombëtar” tha Mattis gjatë këtij takimi.

Ai falënderoi Katarin për mbështetjen e stabilitetit dhe pajtimit në Afganistan, si dhe për mikpritjen e forcave ajrore amerikane në bazën ushtarake Al Udeid, sikurse theksoi se kjo bazë është një qendër e rëndësishme për operacionet e përbashkëta mes 15 vendeve për rritjen e sigurisë rajonale dhe luftën kundër ekstremizmit. Mattis siguroi se vendi i tij do të vazhdojë përjekjet për të formuar një koalicion gjithëpërfshirës dhe strategjik në Lindjen e Mesme për të adresuar sfidat e përbashkëta. “Ne jemi të angazhuar të punojmë me aleatët tanë në rajon për ta kthyer këtë ide në realitet dhe për të frenuar synimet e palëve armiqësore” tha ai.

Nga ana tjetër, ministri katarian Al-Attiyah tha se vendi i tij shpreson të nxisë dhe forcojë më tej marrëdhëniet historike me Shtetet e Bashkuara si një partner në luftën kundër terrorizmit, duke theksuar se Katari ka mbështetur gjithmonë dhe kudo ku ka qenë e nevojshmë misionet që kanë patur synim dhënien e ndihmave dhe zbatimin e drejtësisë.

“Ne kemi qenë përherë një partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit dhe kemi reaguar pozitivisht sa herë që jemi thirrur nga partnerët tanë për t’iu bashkuar përpjekjeve ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë” tha Al-Attiyah.

Ndërkohë, një zëdhënëse e Pentagonit njoftoi se në takimin mes dy ministrave u diskutuan një sërë çështjesh, si lufta kundër ISIS, mbështetja e Katarit ndaj misionit të forcave të NATO-s në Afganistan, si dhe zgjerimi i Bazës  Ajrore Al Udeid në Doha.

Zëdhënësja tha se Pentagoni vazhdon të punojë me Ministrinë e Mbrojtjes së Katarit rreth detajeve specifike të objekteve që do të zëvendësohen dhe modernizohen në bazën ajrore Al Udeid, dhe theksoi se qëllimi i zgjerimit të bazës është përmirësimi i aftësisë luftarake të forcave amerikane dhe i mirëqenies së personelit amerikan në këtë bazë.

Baza ushtarake ajrore Al Udeid strehon anëtarë të ushtrisë amerikane, shumica e tyre nga Forcat Ajrore, dhe konsiderohet një nga bazat më të rëndësishme ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit, raporton .Al Jazeer. Aktualisht në Al Udeid janë më shumë se dhjetë mijë trupa të forcave amerikane, krahas trupave ndërkombëtare të Koalicionit Global në luftën kundër “ISIS”. s.n.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re