VALENTINA MADANI/ Tirana sot është gati për mirëseardhjen e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Një portret i shpalosur në ballinën e Universitetit Politeknik është mirëseardhja e Edi Ramës për Antony Blinken. Rrugët kryesore të Tiranës janë veshur me flamujt amerikanë dhe shqiptarë. Blinken pritet të mbërrijë në Shqipëri rreth orës 11:00 dhe pritet të qëndrojë deri në 20:00.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku do të kalojë Blinken janë vendosur flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Ndërkohë, në fasadën e Fakultetit Politeknik është vendosur një banderolë e zyrtarit të lartë amerikan, me mbishkrimin “Mirë se vjen zoti Blinken”!

Fokusi i kësaj vizite pritet të jetë e ardhmja e Shqipërisë dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e viziton për herë të parë Shqipërinë sot më datë 15 shkurt. Ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, aktualisht Zëvendës Ndihmëssekretare e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euro-Azisë, Yuri Kim së bashku me Ndihmësnekretarin e Shtetit, James O’Brien në një konferencë telefonike për mediat nga Uashingtoni zbardhën axhendën e vizitës disaorëshe të kryediplomatit amerikan në kryeqytetin shqiptar.

Ai do të mbërrijë në Shqipëri rreth orës 11:00 dhe do të qëndrojë deri rreth orës 20:00. Sekretari amerikan Blinken do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të ketë edhe një konferencë shtypi. Kryeministria njofton se takimi dhe konferenca janë parashikuar në harkun kohor 16:00- 19:00. Zyrtarët e lartë amerikanë bënë të ditur se Sekretari Blinken do të falënderojë krerët e shtetit dhe Shqipërinë që ka qenë bashkëpunëtorja e SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKBsë nga viti 2000.

Gjithashtu, gjatë kësaj vizite përfaqësuesi i lartë amerikan do të theksojë bashkëpunimin e madh të Shqipërisë me SHBA për afganët, si vijim i traditës historike për të strehuar të huajt. Vetë DASH në njoftimin për turin e Blinken në Europë theksoi se në Tiranë ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Në fokus të bisedimeve do të jetë gjithashtu e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor.

Më pas, gjithashtu Blinken do të takohet te Piramida edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si “Fulbright” dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar. Gjithashtu Sekretari amerikan i Shtetit pritet të ketë takim edhe me kreun e SPAK, Altin Dumani.

MARREVESHJET

Dy marrëveshje do të nënshkruhen mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë vizitës që do të mbajë sot në Tiranë Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjet, të cilat kanë të bëjnë me një program të shkëmbimit akademik “Fullbright” si dhe memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, që ka të bëjë me bashkëpunimin në mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

Pas Tiranës, ai do të udhëtojë drejt Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Kjo do të jetë vizita e parë e Blinken në Shqipëri. Më herët, vendin tonë e kanë vizituar edhe paraardhësit e tij: James Baker më 22 qershor 1991, Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, Colin Powell në vitin e 2003 dhe Hillary Clinton në nëntor të 2012 dhe John Kerry, më 14 shkurt të vitit 2016. Shtatë vite nga vizita e fundit e një Sekretari amerikan të Shtetit, Antony Blinken vjen në një moment të rëndësishëm për vendin. Përveç rolit të saj në politikën e jashtme, duke qëndruar në krah të aleatëve në luftën e paligjshme ruse në Ukrainë, një partner kyç i Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria është në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Blinken në Tiranë, DASH: Shqipëria, partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkan. Zë i fortë i mbrojtjes së Ukrainës

Departamenti Amerikan i Shtetit për vizitën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, në Shqipëri dhe atë që e pason në Gjermani, zhvilloi dje një bisedë informuese “online” me gazetarë shqiptarë dhe ata gjerman.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller zbardhi detaje mbi agjendën e Sekretarit Blinken, i cili pritet të mbërrijë sot për një vizitë zyrtare në Tiranë. Në një konferencë për shtyp, Miller njofton se vizita e Blinken në Shqipëri riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

Sipas Miller, Shqipëria është një partner kyç i SHBA për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor. Zëdhënësi i DASH e konsideroi vendin tonë një zë i fortë në mbrojtjen sovranitetit dhe lirisë së Ukrainës kundër agresionit brutal të Rusisë, si dhe një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKBsë apo edhe si kryetare e OSBE-së për vitin 2020.

“Mirëdita të gjithëve! Më falni që u vonova pak, ose në fakt shumë. Do të filloj me disa komente hapëse për udhëtimet. Sekretari Blinken do të niset sot për të udhëtuar drejt Tiranës së Shqipërisë dhe Mynihut të Gjermanisë. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit atje, ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Shqipëria ka qenë një zë i fortë në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës të sovranitetit dhe lirisë së saj kundër agresionit brutal të Rusisë. Shqipëria ishte një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si kryetare e OSBE-së për vitin 2020 dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor. Sekretari më pas do të udhëtojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Zëvendëspresidenti Harris. Ndërsa në Mynih, Sekretari Blinken do të zhvillojë takime dypalëshe me liderë globalë dhe do të nënvizojë rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm të SHBA-ve ndaj Aleancës së NATO-s. Aleanca e NATO-s ka siguruar një paqe historike si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Evropën për 75 vitet e fundit dhe po i ndihmon Shtetet e Bashkuara të ruajnë një avantazh ndaj kundërshtarëve tanë për të ardhmen. Sekretari gjithashtu do të riafirmojë mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, do të vazhdojë diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe do të theksojë angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike. Do të kemi më shumë njoftime për takimet e tij individuale në Mynih gjatë udhëtimit”, – deklaroi Miller.

Më herët, Zëvendësndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim zbardhi agjendën e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken gjatë vizitës në Europë. Kim theksoi se udhëtimi do të jetë me dy ndalesa, në Shqipëri dhe Gjermani. Vizita në Tiranë do të përqendrohet tek “e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”.

“Ne do të nisemi sot  për një udhëtim me dy ndalesa në Evropë. Ndalesa e parë do të jetë në thelb një ndalesë ditore në Shqipëri që do të zgjasë nga ora 11:00 deri rreth orës 7:00 ose 8:00 të mbrëmjes. Dhe kjo është me të vërtetë një ndalesë që do të fokusohet tek e ardhmja, e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, ku mund të kujtoni se Ndihmës Sekretari Jim O’Brien kohët e fundit ishte atje për të folur për Bosnje-Hercegovinën, por në çdo rast, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e Evropës”, – u shpreh Kim.

Sipas Kim, “vizita vjen në momentin që ne po fillojmë 100 vitet e dyta të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri”. “Ne duam të falënderojmë kryeministrin Rama dhe Shqipërinë si bashkë penëmbajtëse në Këshillin e Sigurimit. Ne duan të nënvizojmë bashkëpunim e shkëlqyer qe kemi me Shqipërinë. Duam po ashtu t’i falënderojmë edhe për të qenurit mikëpritësi kryesor i afganëve në nevojë, teksa Shqipëria vijoi traditën e mikpritjes të atyre të cilëve u rrezikohej jeta. Do të jetë një skedulë e ngjeshur. Ne do të shkojmë atje për t’u takuar me Presidentin Bajram Begaj. Takim me kryeministrin Edi Rama nga ku do të ketë bisedime bilaterale. E në fund, një dalje për median. Sekretari Blinken do të ketë një takim të mrekullueshëm me të rinjtë diçka më shumë se 100, të cilët kanë kaluar përmes programeve tona. Vendi këtij takimi do të jetë Piramida në Shqipëri, vend siç mund ta dini ishte Koreja e Veriut e Europës dhe Piramida u ndërtua si mozeloum për diktatorin Enver Hoxha. Por, qyteti Tiranës me ndihmën e Fondit Amerikan të Zhvillimit u bashkuan dhe e kthyen në një qendër inovacioni hapur disa muaj më parë”, – theksoi ish-ambasadorja Kim.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re