Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani nga data 14-17 shkurt. Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.

Sipas njoftimit, Blinken do të vizitojë Shqipërinë, “një partnere kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. Kjo vizitë ka për synim që të riafrimojë lidhjet e Uashingtonit me Tiranën.

“Në Tiranë, Sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, thuhet në njoftim..

Ndërkohë në Gjermani, ai do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Munihut, ku do të diskutojë për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe sigurinë transatlantike, bëri të ditur DASH-i.

“Sekretari do të mbajë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqja dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin e palëkundur amerikan për sigurinë transatlantike. Sekretari Blinken do të bashkohet gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë për një forum publik mbi multilateralizmin”, thuhet ne njoftimin e DASH.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re