Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock sot tha se “do të mbetet i përqendruar në punën për të nxjerrë vendin nga pandemia”, duke sinjalizuar se nuk do të japë dorëheqje, pavarësisht thirrjeve nga partitë opozitare.

Deklarata e Hancock vjen ndërsa Partia Laburiste kërkoi nga kryeministrin Boris Johnson të shkarkojë sekretarin pasi u shfaqën fotografitë në mediat tabloide që e tregonin atë duke puthur ndihmësen e tij të martuar.

“Pranoj se në këto rrethana kam shkelur udhëzimet për distancimin shoqëror”, tha sekretari i Shëndetësisë.

“Unë i kam zhgënjyer njerëzit dhe më vjen shumë keq”, tha Hancock.

“Mbetem i përqendruar në punën për të nxjerrë vendin nga kjo pandemi dhe do të isha mirënjohës për privatësinë e familjes sime për këtë çështje personale”, theksoi ai.

Afera e pretenduar u zbulua sot nga “The Sun”, e cila publikoi dy foto, ku mund të dallohen Hancock me Gina Coladangelo, të cilën ai e emëroi si ndihmëse shtatorin e kaluar.

“Nëse Matt Hancock ka pasur marrëdhënie të fshehtë me një këshilltare në zyrën e tij, të cilën ai personalisht e emëroi në një pozitë të financuar nga taksapaguesit, kjo është abuzim i qartë i pushtetit dhe konflikt i qartë interesi”, deklaroi kryetarja e Partisë Laburiste, Annaliese Dodds.

Lista e akuzave kundër Matt Hancock përfshin humbjen e parave të taksapaguesve, lënien e shtëpive të kujdesit të ekspozuara dhe së fundmi akuzën për shkeljen e rregullave të COVID-19”, tha ajo.

“Pozicioni i tij është pa shpresë dhe i pambrojtur. Boris Johnson duhet ta shkarkojë atë”, tha mes tjerash, Dodds.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko