Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur në foltoren e Kuvendit, kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi për kryetarin Gramoz Ruci që të vendosë në rend të ditës në seancën e radhës plenare edhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor.  Sipas Ramës, ata që janë jashtë dhe dërgojnë ultimatume nuk kanë tagër ti japin urdhra Kuvendit dhe i referohet Gazmend Bardhit si “sekretari i forcave çlirimtare”.

“Unë dua t’jua kujtoj juve, se ata të tjerët dërgojnë ultimatume nga jashtë se për çfarë duhet të bëjë Kuvendi, që edhe PS ka të drejtën e saj të thojë diçka, se nuk mund të vini ju, ti bini këmbës, dhe të merrni gjithçka. Vullnetin qeverisës të popullit e përfaqësojmë ne në Kuvend, nuk është nevoja për të vazhduar me provokime, atyre që janë jashtë iu them që nuk kanë asnjë tagër që ti jepni urdhër këtij Kuvendi, Kryetarit të Kuvendit i është dërguar një ultimatum, nga sekretari i forcave çlirimtare”, tha Rama.

Kërkesa e Bardhit për kryetarin e Kuvendit: “Miratimi pa vonesa i ndryshimeve konsensuale në Kodin Zgjedhor do të ishte hapi i parë për të dëshmuar vullnet për përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave.

Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ-së për zbatimin e identifikimit biometrik. Kryetari i Kuvendit të ushtrojë përgjegjësinë e tij për të mundësuar përfshirjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në seancën plenare të radhës.

Në këtë mënyrë, 3 vite nga fillimi i punës për Reformën Zgjedhore dhe 1 muaj nga Dakordësia e 5 Qershorit, Shqipëria ka shansin të tregojë se integrimi evropian është vërtetë prioritet kombëtar dhe se institucionet janë të përkushtuara për të ushtruar përgjegjësitë e tyre, pa vonesa, në këtë proces jetik për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.”

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re