Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly tha se e vlerësojnë shumë rolin e Turqisë në negocimin e marrëveshjes për eksportin e grurit nga Deti i Zi dhe përpjekjet e saj për të mbrojtur Konventën e Montreux-it.

Cleverly, i cili ndodhej në New York për Mbledhjet e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në një prononcim për (AA) lidhur me urdhrin e presidentit rus Vladimir Putin për mobilizim pas humbjes së territorit në lindje të Ukrainës tha: “Deklarata për mobilizim tregon se lufta (për Putinin) nuk shkoi siç ishte planifikuar”.

“Putini shpresonte të pushtonte të gjithë Ukrainën brenda disa javësh, por tani muaj më vonë ne shohim forcat ukrainase duke i shtyrë forcat ruse në pjesën më të madhe të Ukrainës lindore”, tha Cleverly.

“Mesazhi ynë për Vladimir Putinin është se kjo luftë e paligjshme është e gabuar. Më e mira që Putini mund të bëjë është të tërheqë trupat e tij, të lejojë ukrainasit të rimarrin kontrollin e vendit të tyre dhe të rindërtojnë ekonominë e tyre. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë thirrje dhe ta mbështesim popullin e Ukrainës”, tha ai.

Pasi disa zona të pushtuara nga Rusia u morën sërish nga Ukraina, Cleverly tha: “Çdo referendum i rremë i mbajtur (në Ukrainën lindore) nuk do të jetë i lirë, i drejtë apo legjitim dhe nuk do të pasqyrojë dëshirën dhe vullnetin e vërtetë të njerëzve në Ukrainën lindore. Në vend që të humbasë kohë dhe energji me këto referendume të pakuptimta, ajo që duhet të bëjë Rusia është të tërheqë trupat e saj”.

NATO nuk është kërcënim për Rusinë

Lidhur me kërcënimin e Putinit për të përdorur armë bërthamore, Cleverly tha: “Ne pamë retorikën agresive të Vladimir Putinit që përshkallëzoi tensionet. Ajo që ai (Putini) duhet të kuptojë, ajo që bota duhet të kuptojë, është se ne do të qëndrojmë krah për krah me ukrainasit sepse ata po mbrojnë vendin e tyre. NATO nuk ka paraqitur kurrë kërcënim për Putinin. Kjo luftë është një zgjedhje dhe Putini mund të zgjedhë të tërheqë ushtrinë e tij”.

Duke theksuar se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka rritur problemet në lidhje me sigurinë ushqimore, veçanërisht në jug, Cleverly tha: “Ata që kanë mungesë ushqimi duhet të dinë se nuk ka sanksione për eksportet e ushqimit, nuk ka sanksione për eksportet e plehrave, nuk ka sanksione për eksportet e nitratit të amonit. Putini po përdor urinë si një armë lufte dhe kjo është e pamoralshme dhe e gabuar”.

“Është shumë e vlefshme për Turqinë të mbrojë Konventën e Montreux-it”

Sekretari britanik vlerësoi përpjekjet ndërmjetësuese të Turqisë midis Ukrainës dhe Rusisë si një vend anëtar i NATO-s. “Ne vlerësojmë shumë rolin e Turqisë në negocimin e marrëveshjes për eksportet e grurit nga Deti i Zi dhe përpjekjet e saj për të mbrojtur Konventën e Montreux-it. Por, në fund të fundit është përgjegjësi e Rusisë (për t’i dhënë fund luftës). Kontributet e Turqisë dhe vendeve të tjera janë të vlefshme për ne”, tha Cleverly.

“Pozicioni i Britanisë si garantues i Qipros nuk ka ndryshuar”

Kur u pyet se çfarë lloj zgjidhjeje propozoi Britania e Madhe, si një nga vendet garantuese për problemin në Qipro dhe nëse do ta njihte Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC) si një shtet të pavarur, Cleverly tha: “Pozicioni ynë për Qipron është i njohur dhe mbetet konsistent. Ne duam të shohim një zgjidhje. Sigurisht, ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Türkiye-n, Greqinë dhe Qipron. Si Britani, sigurisht që duam që problemi të zgjidhet, por qëndrimi ynë ka qenë i njëjtë për një kohë të gjatë dhe nuk ka ndryshuar”, tha ai.

“OKB-ja duhet të reformohet”

Clevery vlerësoi qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar, një nga 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në lidhje me thirrjet në rritje për reforma.

“Ne duam që OKB-ja të vazhdojë të jetë një zë me ndikim në skenën botërore. Për të qenë efektive, natyrisht, të gjitha institucionet duhet të zhvillohen. Ne mbështesim reformën e OKB-së dhe natyrisht duam ta bëjmë këtë së bashku me komunitetin ndërkombëtar. Nuk do të ishte e drejtë që unë të hyja në më shumë detaje tani, por sigurisht që duhet të sigurohemi që ky institucion të vazhdojë të jetë efektiv në të ardhmen dhe reformat janë të rëndësishme”, tha ai.

Partneriteti Turqi-Rolls Royce për avionët luftarakë kombëtarë

Kur u pyet nëse prodhuesi britanik i avionëve dhe motorëve Rolls Royce kishte një përpjekje apo një kundërshtim ndaj qëndrimit të qeverisë britanike për prodhimin e motorëve për aeroplanët luftarakë kombëtarë turq, Cleverly tha:

“Turqia është një vend i NATO-s dhe Rolls Royce është një kompani britanike dhe ne jemi krenarë për të. Këto lloj negociatash ndodhin midis palëve, por ne si Britani jemi krenarë për teknologjinë dhe trashëgiminë tonë inxhinierike. Jam i lumtur që shoh miqtë tanë në mbarë botën që punojnë me këto kompani të shkëlqyera”.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re