Flamur Gjuzi, një vëzhgues i Partisë Socialiste në Durrës, deklaroi se incidenti që pati me sekretaren e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Jola Hysaj, ishte i pakuptimtë, ku kjo e fundit i kërkoi të largohej nga qendra e votimit, me pretendimin se po intimidonte votuesit.
Për ABC News, Gjuzi u shpreh se ai është vëzhgues dhe ka kartën e vëzhguesit, çka tregonte se ai po vepronte konform ligjit.
Gjuzi nënvizoi se në mometin që Hysaj erdhi në ambientet e qendrës së votimit, nuk kishte asnjë votues dhe ajo e intimidoi atë.
“Unë jam Flamur Gjuzi, jam vëzghues i Partisë Socialiste, në QV 1385, në Romanat të Durrësit. Sapo kemi ardhur në mëngjes që të përgatisim qendrën e votimit së bashku me komisionerët, zonja Jola Hysaj që mesa di, përfaqëson pjesën e Rithemelimit te Partia Demokratike, më bën një foto dhe ia jep të gjitha mediave duke thënë që je në kundërshtim me ligjin. Unë kam kartën e vëzhguesit, jam vëzhgues i kësaj qendre votimi dhe jam komfort ligjit. Iku, u largua dhe u kthye pasdite me disa reporterë. Nuk kishte asnjë votues në qendrën e votimit. Merr mediat dhe i drejton nga unë, shiko si i intimidon qytetarët, kur në fakt ajo po më intimidonte mua dhe pjesën tjetër brenda.
Totalisht e padrejtë, ne as po bënim asnjë lloj shkeljeje. Nuk kam lëvizur një moment të vetëm nga qendra e votimit, duke vëzhguar procesin e votimit dhe nuk kam ndërhyrë askund. Ndoshta ajo ka probleme mendore që kryen veprime të tilla, sepse të intimidosh qendrën e votimit, vëzhguesit, duket diçka anormale. Akoma nuk e kuptoj arsyen e veprimit të saj”, theksoi ai./