Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman tha se projekt-ligji i ri që do të sillet në Dhomën e Komunave të martën do të “ndalojë varkat” që transportojnë emigrantë përmes Kanalit anglez (La Manche), transmeton Anadolu.

Duke folur për “The Telegraph”, përpara fjalimit të saj në parlament, Braverman tha: “Ne duhet të ndalojmë varkat dhe këtë do të bëjmë me projektligj”. Ajo shtoi se këtë nuk do ta bëjnë më me zgjidhje të përkohshme dhe të pakënaqshme apo duke u shmangur nga vendimet e vështira.

Deklarata e Braverman vjen në ditën që ajo do të zbulojë detajet e projekt-ligjit të ri, i cili do të bëjë të mundur ndalimin e emigrantëve që vijnë ilegalisht dhe deportimin e tyre në vendin e tyre ose në Ruandë derisa të kryhet procesi i aplikimit të kërkesave të tyre për azil, ndërsa plani në fjalë u refuzua nga grupet e të drejtave të njeriut.

“Unë dhe kryeministri (Rishi Sunak) kemi punuar pa pushim për të siguruar që të kemi një projektligj që funksionon. Ne kemi shtyrë kufijtë e së drejtës ndërkombëtare për të zgjidhur këtë krizë. Nëse vini këtu në mënyrë të paligjshme, atëherë nuk mund të qëndroni”, tha Braverman, duke iu përgjigjur zërave që vënin në dyshim ligjshmërinë e projektligjit të ri për sa i përket të drejtës ndërkombëtare.

Kryeministri Sunak zhvilloi një bisedë me presidentin e Ruandës, Paul Kagame të hënën mbrëma përpara njoftimit, në shenjë të angazhimit të vazhdueshëm të kryeministrit rreth politikës së depërtimit të emigrantëve të paligjshëm dhe atyre që janë në pritje të përgjigjes për azil në Ruandë.

Sunak pati deklaruar në dhjetor se do të vazhdonte me planin e diskutueshëm të Ruandës, disa muaj pasi avionët e parë me azilkërkues për në vendin afrikan, që kishin aplikuar për azil britanik, u ndaluan nga përfaqësuesit ligjorë përmes kanaleve ligjore.

Gjykata e Lartë britanike vendosi në dhjetor të vitit të kaluar se planet e qeverisë për të dëbuar azilkërkuesit në Ruandë janë të ligjshme.

Braverman pritet të adresohet në Dhomën e Komunave të martën pasdite.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re