Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss tha se është e pikëlluar për lajmin për vdekjen e gazetares së njohur palestineze Shireen Abu Akleh, e cila u vra të mërkurën në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Puna e gazetarëve në mbarë botën është jetike dhe ata duhet të mbrohen në mënyrë që të bëjnë punën e tyre”, shkroi Truss sot në Twitter.

Abu Akleh, 51-vjeçe ndërroi jetë pasi u qëllua në kokë teksa raportonte për një bastisje të forcave izraelite në qytetin e Jeninit. Një gazetar tjetër, Ali al-Samoudi, u qëllua pas shpine, tha të mërkurën Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Kanali televiziv Al Jazeera me bazë në Katar ka akuzuar forcat izraelite për vrasjen e qëllimshme të gazetares Shireen Abu Akleh ndërsa ushtria izraelite tha se vlerësimet fillestare treguan se ishte “vrarë nga persona të armatosur palestinezë”.

Gazeta izraelite “Haaretz”, duke iu referuar hetimeve paraprake të kryera nga forcat mbrojtëse izraelite, pretendon se është “ende e paqartë” nëse Abu Akleh është vrarë nga forcat izraelite apo “palestinezë të armatosur”.

Autoritetet palestineze kanë konfirmuar se gazetarja është “vrarë nga ushtria izraelite”.

Agjencia palestineze e lajmeve Wafa citoi Al-Samoudia të thoshte se forcat pushtuese shënjestruan drejtpërdrejt gazetarët, gjë që bëri që ai të qëllohej pas shpine ndërsa Abu Akleh në kokë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re