Në mbyllje të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, kreu i saj Sali Berisha foli edhe për zhvillimin e protestave.
“Diskutuam për të startuar revoltat e PD-së, të cilat do t’i japin përgjigjen përfundimtare kësaj kalbësire që kundërmon në të 4-anët e Shqipërisë dhe botës, vjedhje, drogë, drogë dhe vjedhje. Kjo është mbledhja e tretë e forumeve të PD-së, kryesia, grupi parlamentar dhe Këshilli Kombëtar që shkojnë në një linjë e cila shënon vendimin e kësaj force politike për fillimin e revoltave të cilat do të ndërpriten vetëm kur ky regjim të arkivohet në banesën e turpit të historisë.”, tha ai.
I pyetur nëse po iu vlon gjaku demokratëve për të protestuar, ai shtoi: ”Me aq sa pashë sot, jashtë mase. Një gatishmëri që ju nuk e imagjinoni dot. Jua them unë. Një vendosmëri e atillë që kjo parti nuk e ka patur ndonjëherë. Pra, është një zhvillim, një ndërgjegjësim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe pozitiv. Natyrisht, pavarësisht se po shkërmoqet, pavarësisht se është në agoni, pavarësisht se po projekton grusht shteti, përsëri duhet që populli ta kërrejë dhe populli shqiptar do ta kërrejë Edi Ramën, pengu i Lubi Ballukut, i Ergys Agasit. E morët vesh ju apo jo? Ergys Pengmarrësit. Ergys Pengmarrësit, njeriut që merr peng, peng në emër të baxhanakut.”
Berisha nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me organizimin e protestave, por e mbylli prononcimin me fjalët: “Protestat absolutisht, revoltë, jo protesta. Ato do t’i mësoni që të gjitha se janë sekrete të organizatorëve!”
