Pas rrëzimit të sistemit diktatorial, Shqipëria u përfshi në procese demokratike të shpejta, e sidomos me përfshirjen në organizma ndërkombëtare. OSBE ishte e para që pranoi anëtarësimin e Shqipërisë, por vendi ynë ka një të veçantë që lidhet me teknologjinë bërthamore.

Shqipëria është anëtarësuar në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike që prej krijimit të saj në 29 korrik 1957. Bordi i Guvernatorëve të kësaj agjencie është i përbërë nga 35 shtete anëtare, 10 prej të cilave janë të përhershme (kryesisht vendet që kanë teknologjinë bërthamore më të përparuar).

Anëtarët e përkohshëm zgjidhen nga Konferenca e Përgjithshme çdo dy vjet, sipas kritereve gjeografike. Republika e Shqipërisë ka qenë anëtare e Bordit të Guvernatorëve nga shtatori 2007 deri në shtator 2009. Aktivitetet e kësaj agjencie përqendrohen në tre fusha kryesore: Mbrojtja nga rrezatimi dhe siguria e materialeve bërthamore; Shkenca dhe teknologjia bërthamore dhe inspektimi e verifikimi bërthamor.

Në 2004, kjo agjenci krijoi Programin e Terapisë së Kancerit, i cili ndihmon vendet të ushtrojnë, zgjerojnë dhe përmirësojnë radioterapinë kundër kancerit. Bashkëpunimi midis Shqipërisë është konsideruar rezultativ.

Prioritetet e Shqipërisë në këtë fushë lidhen kryesisht me përdorimin e teknologjisë bërthamore në mjekësi për fazën e hershme të diagnostikimit të sëmundjeve të ndryshme, trajtimin e kancerit përmes rrezatimit, mbrojtjen e punonjësve dhe pacientëve nga rrezatimi, luftën kundër trafikimit të paligjshëm të radioaktivëve dhe materialet bërthamore.

Aktualisht, Shqipëria dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) kanë hartuar Programin Kombëtar Kuadër, i cili përbën strategjinë  5-vjeçare të bashkëpunimit teknik me Agjencinë, për periudhën 2018-2022, me fokus në fushat e mjekësisë bërthamore, radioterapisë dhe mjekësisë fizike, burimeve natyrore dhe mjekësore, ushqimi dhe bujqësia, mjedisi, mbrojtja nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.

Në përputhje me inspektimin dhe verifikimin bërthamor, Agjencia trajton çështje të rëndësishme në lidhje me zhvillimet globale, të tilla si çështje që lidhen me Republikën Islamike të Iranit, Republikën Arabe të Sirisë dhe Republikën Demokratike të Koresë së Veriut.

Një tjetër anëtarësim i Shqipërisë që daton që prej vitit 1988 është në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) e themeluar në vitin 1966 dhe përbëhet nga 170 shtete anëtare. Ky organizëm ndërkombëtar synon të mbështesë zhvillimin industrial në mënyrë që të përmirësojë cilësinë e jetës në vendet në zhvillim. UNIDO operon përmes tre organeve kryesore: Konferencës së Përgjithshme, Bordit të Zhvillimit Industrial (IDB) dhe Komitetit të Programit dhe Buxhetit (PBC).

Bashkëpunimi i Shqipërisë me UNIDO, daton nga viti 1971, me një rekord të shkëlqyeshëm rezultatesh. Portofoli i UNIDO-s në Shqipëri është mbizotëruar nga aktivitetet teknike që lidhen me plotësimin e kërkesave të Protokollit të Montrealit.

Përpjekjet për të diversifikuar fokusin ishin të suksesshme me ndjekjen e aktiviteteve për prodhimin më të pastër në kuadër të Programit Një të Kombeve të Bashkuara, zhvillimin e sektorit privat, promovimin e investimeve dhe të tjerët.

Ndërsa vite më vonë, Shqipërisë i lindi nevoja për të qenë pjesë e Traktatit për Ndalimin e Testimit Nuklear Gjithëpërfshirës, që nuk është ende një organizatë e mirëfilltë dhe funksionale, pasi nuk është krijuar ende, për shkak se traktati nuk është ratifikuar nga shtetet që janë përcaktuar si fuqi bërthamore ose fuqi e mundshme bërthamore.

Traktati i Ndalimit të Provave Bërthamore Gjithëpërfshirëse (CTBT) u prezantua për herë të parë direkt në Asamblenë e Përgjithshme të SHBA, ku u miratua më 10 shtator 1996 dhe përfshin tre dispozita kryesore ndalimi i të gjitha shpërthimeve bërthamore kudo, nga kushdo. Ky traktat do të hyjë në fuqi pasi të jetë nënshkruar dhe ratifikuar nga të gjitha 44 shtetet e listuara në të.

Komisioni Përgatitor u krijua në vitin 1996 dhe Shqipëria është bërë anëtare e saj që prej këtij viti, më 27 Shtator 1996. Shqipëria ka ratifikuar Traktatin më 23 Prill 2003 dhe vazhdimisht bashkohet me thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për hyrjen e saj në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur.

Aktualisht, Republika e Shqipërisë po bashkëpunon me CTBT në lehtësimin e ngritjes së kapaciteteve të Institucionit të Gjeoshkencës në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Institutin e Fizikës Bërthamore në projekte trajnimi që lidhen me Qendrën Kombëtare të Bazës së të Dhënave./Shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re