Në pesë muajt e parë të vitit, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i është dashur të zhvillojë disa dhjetëra procedura prokurimi, për të blerë energji në tregun e parregulluar. Për shkak edhe të situatës jo të favorshme hidrike, sasia që është blerë nga ky treg, ka qenë e lartë dhe në disa raste, me çmime të kripura, duke vënë në vështirësi financiarisht kompaninë publike të shpërndarjes.

Të dhënat zyrtare të OSHEE-së tregojnë se nga janari në maj, janë importuar 1.3 milionë MËh energji, me një çmim mesatar prej 73.47 eurosh, çka bën që në total, blerjet në tregun e parregulluar për të plotësuar konsumin në vend të kenë kapur vlerën 96.8 milionë euro, pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Blerjet në tregun e parregulluar në 5 muaj, në janar çmimi më i kripur

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike e nisi 2019 me shpenzime të larta në importe. Për shkak të prodhimit minimal të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sasia më e madhe e energjisë u sigurua në tregun e parregulluar.

Konkretisht, në janar, u blenë në këtë treg mbi 338 mijë MËh energji me një çmim mesatar prej 89.86 euro/MËh, çka rezultoi me një faturë rreth 35 milionë euro pa TVSH. Ky është muaji me shpenzimet më të larta të OSHEE për energji të blerë nga tregu i parregulluar.

Në shkurt, nga ana e kompanisë së shpërndarjes, është bërë 173 mijë MËh energji me një çmim 69.81 euro/MËh. Kjo është edhe sasia më e vogël e kontraktuar nga ky treg në këta 5 muaj, me një faturë prej 12 milionë eurosh. Çmimin mesatar më të lirë, OSHEE e ka siguruar në muajin prill, me 62.92 euro/MËh, çka pavarësisht sasisë së konsiderueshme prej mbi 236 mijë MËh importe, fatura kishte një vlerë prej 14.8 milionë euro pa TVSH.

Kompanitë në vështirësi, sektori me “sytë nga Zoti”

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk po përjeton ditët e tij më të mira, çka duket si një përsëritje e vitit 2017, kur i gjithë sektori u vu në vështirësi, për shkak të importeve të larta. Në atë kohë, për të mbuluar blerjet e energjisë, u përdor edhe një pjesë e kredisë së Bankës Botërore nga projekti i Rimëkëmbjes. Gjasat janë që, nëse nuk ndryshojnë kushtet hidrike, kompania të gjendet në një situatë të ngjashme.

Sasia e energjisë që OSHEE po ble sot në tregun e parregulluar është dukshëm më e lartë sesa mesatarja e viteve të shkuara, të paktën kjo për majin. Kjo do të thotë që, edhe kostot janë dukshëm më të larta.

OSHEE ble nga KESH me një çmim 1.45 lekë/këh dhe e shet atë tek konsumatori fundor me 9.5 lekë, ndërkohë që për disa kategori biznesi, edhe me 14 lekë/këh. Çmimi me të cilën OSHEE ble nga KESH është dukshëm i ulët në raport me atë që OSHEE siguron nga tregu i parregulluar. Reshjet e fundit duket se nuk kanë dhënë ndonjë efekt të dukshëm në prodhimin vendas.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare prej vitesh zbaton praktikën e optimizimit, duke tentuar përmirësimin e portofolit ekonomik. Edhe gjatë këtij viti, KESH është përfshirë në këtë lloj procedure që do të thotë se shet një sasi të caktuar energjie në kohë piku, duke siguruar një çmim të mirë dhe ble gjatë orëve të natës me një çmim më të lirë.

Rasti më i fundit i optimizimit ishte në muajin mars kur KESH shiti 3360 MËh energji me një çmim të ponderuar prej 57.34 ndërkohë që bleu 3332 Mëh me një çmim të ponderuar 45.02 euro/MËh. Vetëm nga kjo procedurë KESH arriti që të dilte me një bilanc pozitiv në të ardhura prej rreth 43 mijë eurosh. Të njëjtën praktikë KESH tentoi të zhvillonte edhe në prill për periudhën 13-22 prill 2019.

Oraret e përzgjedhura edhe për këtë procedurë ishin në orare piku, ndërkohë që blerja e KESH do të përqendrohej në 23:00-24:00. Gjithsesi, procedura e prillit nuk rezultoi e suksesshme, çka bëri që KESH të njoftonte pezullimin e saj.

Në kushtet kur importet e energjisë kanë arritur rreth 100 milionë euro, pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë i është dashur që të marrë vendimin e pezullimit të investimeve. “Për ne, prioritare në këto momente është që të sigurojmë furnizim me energji dhe situata nuk ka qenë aspak e favorshme. Për të pasur mjetet e nevojshme financiare, na është dashur që të pezullojmë gjithçka.

Janë të paktën 30 milionë euro kontrata investimesh të ngrira, ndërkohë që pezullimi i përgjithshëm për investimet nuk ka një afat. Pra nuk e dimë se kur do të rifillojmë dhe kjo do të varet shumë nga ecuria që do të ketë aspekti hidrik në vend”, – thanë burime zyrtare pranë OSHEE. Për vitin 2019, kompania ka planifikuar një total prej 8.5 miliardë lekësh, si plan investimesh, ndërkohë që gjatë periudhës 2015-2018 në rrjetin e shpërndarjes janë investuar afërsisht 33 miliardë euro./Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re